Banorët e ‘Unazës së Re’ qëllojnë me vezë Bashkinë dhe bllokojnë rrugën

12 Nëntor 2018, 11:21 | Përditesimi i fundit: 2018-11-12 18:35:21

TIRANE - Banorët e “Astirit”, banesat e të cilëve preken nga projekti i zgjerimit të “Unazës së Madhe”, kanë dalë sërish në protestë, por këtë herë përpara Bashkisë së Tiranës. Ata kanë bllokuar rrugën duke paralizuar qarkullimin e automjeteve si dhe kanë qëlluar me vezë në drejtim të Bashkisë.

Banorët kërkojnë takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, për të marrë përgjigje lidhur me kërkesat e tyre për kompensim e shtëpive me vlerën e tregut. Banesat në "Unazën e Re" janë ndërtuar pas viteve '90 dhe pjesa dërrmuese e tyre nuk janë të legalizuara. Banorët kanë paralajmëruar se nuk do lejojnë shembjen e shtëpive pa marrë dëmshpërblimet më parë. Ndërkohë në mbështetje të banorëve kanë mbërritur disa deputetë të PD.   

“I kemi dhënë votën PS-së, tani po na shkatërron shtëpitë. Kryebashkiakut i bëjmë thirrje të vijë këtu. Protesta jonë është shumë paqësore dhe e organizuar”, është shprehur një prej protestuesve. 

Ne nuk tërhiqemi. Për dy gjëra jeton njeriu; për nder dhe shtëpi. Shtëpitë tona nuk do të gremisen””. 

Ndërkohë punimet për zgjerimin e Unazës së Madhe kanë nisur nga sheshi “Shqiponja”, në hyrje të Tiranës, duke hequr statujën e simbolit kombëtar, për t’i hapur rrugë ndërtimit të mbikalimit e cila pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun e automjeteve.