Detaje/ Kapet gomonia me 15 mln euro marijuanë në Itali, një pjesë e saj u hodh në det

15 Shtator 2018, 17:46

Mediat italiane publikojnë detaje të reja nga aksioni i zhvilluar gjatë natës nga Guardia di Finanza, të cilët mundën të kapnin në brigjet e tyre një skaf me marijuanë që dyshohet të jetë nisur nga Shqipëria, brenda të cilit u arrestuan edhe dy skafistët shqiptarë.

Sasia totale e drogës së sekuestruar është 1.718 kg marijuanë dhe nëse do të shitej në treg me doza të vogla, trafikantët do fitonin rreth 15 milionë euro.

Sipas mediave italiane, operacioni i sekuestrimit të gomones me drogë është ekzekutuar nga reparti ajror detar i financës italiane të rajonit të Puglias, Molisses e Abruzzos me mbështetjen e mjeteve ajrore të operacionit “Themis 2018” të asgjësisë europiane Frontex e nën drejtimin e Drejtorisë Operative të Financës italiane në Pratica di Mare të Romës.

Gomonia e gjatë 10 metra dhe me dy motorë të fuqishëm është pikasur nga rojet bregdetare italiane të repartit të Lago di Lesina në provincën e Foxhias. Gomonia është pikasur në ujërat ndërkombëtare teksa lundronte me shpejtësi mjaft të lartë drejt brigjeve italiane. Në bordin e mjetit ishin të dukshme pakot me ngarkesë të dyshimtë. Mjetet lundruese të Guardia Di Finanza i janë vënë nga pas, por skafistët nuk i janë përgjigjur thirrjes së tyre për të ndaluar. Ndërsa kanë shtuar shpejtësinë ata kanë hedhur edhe një sasi të drogës në det.