Doktori italian në “Bunk’art dhe shkencë”: Ja si qelizat tona tranformohen në art

22 Shtator 2018, 14:39

Për herë të parë në Shqipëri, doktori italian Matteo Gelardi solli gjatë ditës së djeshme një shembull unik. Në aktivitetin “Art dhe shkencë”, që u zhvillua në ambientet e Bunk’art 1 doktori shpjegoi për publikun, se si transformohen bashkë këto dy disiplina.

Një iniciativë e krijuar prej tij, pesë vite më parë, ku shkenca kthehet në pikturë, pastaj në muzikë, kjo e fundit në modë. Një zgjedhje inteligjente për të përçuar nëpërmjet artit, në formën më të bukur, mesazhe shkencore. Nga dhjetë tablo të ekspozuara, nëpërmjet dy pikturave të emëruara prej tij, “Bing-bang” dhe “Kristalizimi”, mjeku-artist shpjegoi se si qelizat tona kthehen në art.

Mua më pëlqen arti në përgjithësi dhe kështu shumë herë mjeku gjendet para disa situatave ku mund të njoh artin në brendësi të profesionit të tij. Flitet në përgjithësi për artin mjekësor, atë që dëgjojmë zakonisht në përditshmëri, por në artin mjekësor ka edhe forma të tjera të artit. Kështu, të jesh pranë mikroskopit, të shikosh imazhe në mikroskop, nga aty është e lehtë të mbërrish tek arti. Masandej tek pikturat, e pastaj tek baleti, tek muzika si dhe tek moda.

Matteo Gelardi, doktor

Edhe pse mjek, doktori e ka të vështirë që të ndajë artin nga shkenca. Për të janë të gjitha të bukura, sepse çdo disiplinë ka dinjitetin e saj

Dhamë mesazhin për të përdorur në mënyrë sa më të limituar antibiotikët, sepse bakteret po organizohen dhe më shumë mundësi Luftën e III Botërore do ta kemi kundër tyre, kundër baktereve. Një mesazh tjetër përsa i përket Rinitit Alergjik është që të krijohen parqe joalergjik, ku në vend të pemëve që janë alergjike dhe krijojnë alergji mund të vendosin pemë që nuk shkaktojnë alergji që të gjithë të shkojnë lirshëm.