Ekskluzive/ Babai i iranianes letër Ramës: MEK mban peng vajzën time, në Shqipëri më dhunuan

20 Gusht 2018, 15:55

Redaksia e Shqiptarja.com dhe Report Tv ka siguruar një tjetër letër ekskluzive të dërguar nga babai i vajzës 38-vjeç Sommayeh Mohammadi, iraniani Mostafa Mohammadi kundrejt organeve më të larta shtetërore. Pas ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Mohammadi i shkruan edhe kryeministrit Rama, dhe kërkon lirimin e së bijës. Letra i është drejtuar Z. Agron Sojatit, këshilltarit të kryeministrit mbi anti-terrorizmin.

Mostafa thotë se është shtetas kanadez dhe se organizata MEK në Manzë të Durrësit i mban peng vajzën e tij prej 21 vitesh. Ai thotë madje se është dhunuar nga anëtarë të kësaj organizate, më 27 korrik 2018. Sipas tij, rreth 50 muxhahedinë po atë ditë kanë rrethuar stacionin e policisë nr. 4, si dhe kanë terrorizuar avokatët dhe policët e rajonit dhe na quanin terroristë.

"Ju besoj keni parë në media sesi moxhahedinët më rrahën mua në datë 27 korrik 2018 pranë medresesë në Tiranë. Moxhahedini Humayun Deyhim, një person që ka kryer krime në Irak më ndaloi në rrugë dhe sëbashku me 7 moxhahedinë të tjerë, më shtyu, goditi dhe më quajti terrorist. Si pasojë e goditjeve të tyre unë përfundova në spital. Më pas kur shkuam në stacionin e policisë nr. 4 komanda moxhahedine e përbërë nga Behzad Saffari, Jila Deyhim dhe Ahmad Taba (persona që kanë bërë krime në Irak) solli me vete rreth 50 moxhahedinë që rrethuan stacionin e policisë nr. 4 dhe terrorizuan avokatët dhe policët e rajonit dhe na quanin terroristë",- shprehet ai.

 

Iraniani përmend edhe rastin e gazetarëve të kanalit 4 britanik të kryesuar nga zonja Lindsey Hilsum e cila siç thotë e ka intervistuar në lidhje me këtë çështje.

 

“Përpara pak ditësh ata ofenduan si agjentë iranianë edhe dy gazetarë nga gazeta britanike The Guardian, të cilëve nuk u dhanë akses brenda kampit të tyre për të parë Sommayen. Sjellja e dhunshme e moxhahedinëve kundër gazetarëve dhe prindërve të personave që ata mbajnë peng në organizatën e tyre është e vjetër. Mua më kanë sulmuar me bomba në hotelin Mansur në Bagdad në Irak në vitin 2006 kur kërkoja të takoja vajzën time dhe kanë dërguar vrasës me pagesë që të më vrasin. Unë jam gjallë falë marinsave amerikanë që më shpëtuan në Irak. Këto fakte tregohen në dokumentarin që kam prodhuar për vajzën time i cili gjendet këtu: https://www.youtube.com/watch?v=hjYLhpB9Xyg”, sqaron ai në letër

    No videos found.