Ekskluzive/ Rrëfehet i penduari: I zhdukuri i Vlorës Albano Xhaferi u vra me çekiç në makinë

19 Tetor 2018, 10:14

VLORE - Megjithëse në dosjen penale të prokurorisë së Vlorës janë disa emra të njohur të botës së krimit, zhdukja e Albano Xhaferit në Vlorë, vetëm një muaj pasi ai ishte kthyer nga Belgjika, ka sjellë përshtjellim të hetimit të kësaj dosje dhe prej disa muaj çështje është pa autor. Për llogari të kësaj çështje, një person i arrestuar me urdhër të prokurorisë së Vlorës në 3 gusht 2018 i quajtur Alfred Sulaj, dyshohet se ka dijeni mbi rrethanat e vrasjes dhe zhdukjes së kufomës së Albano Xhaferit, por megjithëse ndaj tij janë ngritur dy akuza, ai nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësisë.

Sulaj ka qëndruar vetëm 12 ditë në qeli dhe më pas është liruar nga një vendim dy “pro” dhe një “kundër” i Gjykatës së Apelit Vlorë në 15 gusht 2018, me argumentin se prokuroria nuk kishte prova që të mbështeste masën e “arrestit në burg” për Sulaj, ndaj të cilit është ngritur akuza e “Moskallëzimit të Krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Nga sa mësohet Alfred Sulaj, rezulton të jetë nipi i një biznesmeni të njohur në Tiranë, ndërkohë që emri i tij në këtë çështje doli, falë dëshmisë së një personi të penduar që ka dëshmuar në Drejtorinë e Policisë së Fierit, i quajtur Gazmend Merkaj, i cili ka pohuar se një grup kriminal në Vlorë ka vrarë në makinën tip “Audi” Albano Xhaferin dhe më pas ka zhdukur trupin. Makina më pas është transferuar në Tiranë tek Alfred Sulaj, ku është larë dhe pastruar nga brenda dhe jashtë tërësisht, në lavazh. I penduari njihet në Vlorë si kontigjent penal dhe i përfshirë në ngjarje kriminale, grabitje, ndërkohë momentalisht ndodhet në burg, pasi akuzohet nga prokuroria e Fierit për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.