Etilda Gjonaj denoncon skandalin e KLD: Në mënyrë të fshehtë i dha leje prindërore për 2 vite gjyqtarit Gjin Gjoni

20 Tetor 2018, 13:31 | Përditesimi i fundit: 2018-10-20 14:58:20

Denoncohet një skandal në radhët e KLD-së. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi gjatë një konference për shtyp se në mbledhjen e fundit, KLD i ka miratuar një vendim jashtë rendit të ditës dhe i panjoftuar më parë, duke i dhënë leje prindërore në mënyrë të fshehtë gjyqtarit Gjin Gjoni, me argumentin se është bërë baba dhe i duhet të udhëtojë drejt Gjermanisë atje ku jeton bashkëshortja e tij. Sipas Gjonajt, vendimmarrja e KLD është e paligjshme. Ajo i bëri thirrje këtij institucioni që të shfuqizojë vendimin. 

Deklarata e Gjonajt:

Në mbledhjen KLD të datës 11.10.2018, në rendin e ditës është shtuar një çështje e panjoftuar, nga gjyqtari Gjin Gjoni për leje prindërore dy vjet. Kërkesa është miratuar nga shumica e KLD në mënyrë abuzive, duke e vënë edhe njëheherë në pikëpyetje legjitimitetin e këtij institucioni.

Këto vendime të KLD janë në shkleje të rëndë të ligjit. Ky akt i ndërmarrë me procedurë të parregullt është i pavlefshëm. Kërkesa është shqyrtuar në mënyrë të paligjshme në fund të mbledhjes. KLD mund të marrë çështje të papërfshira në rendin e ditës, vetëm me votat e 2/3 të gjyqtarëve. Pa kuorum, duke përfshirë edhe votën e Gjin Gjonit, KLD i ka shkuar deri në fund një paligjshmërie të këtyre përmasave. KLD mbajti të fshehtë vendimin për gjyqtarin Gjin Gjoni, ndërsa në procesverbal zbulohet mjaft mirë leja prindërore e Gjin Gjonit. Do t'i drejtohem zyrtarisht këtij institucioni që të shfuqizojë vendiomin e marrë në shkelje të lgjit, në të kudërt kërkesa do t'i drejtohet gjykatës.