Fshesa e Vetingut/ Gjykata Kushtetuese del jashtë funksionit, plotësimi i vendeve vakante i pamundur

24 Prill 2018, 10:33

Zbatimi i ligjit të Vetingut çon në mbylljen e gjykatës së parë dhe më të rëndësishmes në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, organi më i lartë gjyqësor në Shqipëri që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese, që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe që thotë fjalën e fundit për kushtetutshmërinë e ligjeve dhe marrëveshjeve, nuk do të funksionojë më.

Me goditjen e anëtares Altina Xhoxhajt nga veprimi i ligjit të Vetingut, Gjykata Kushtetuese mbetet me tre anëtarë, në pamundësi për t’u mbledhur dhe për të marrë vendime. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, pas konstatimit të pasurisë së paligjshme, pritet që të zyrtarizojë brenda kësaj jave përjashtimin e zonjës Altina Xhoxhaj nga sistemi i drejtësisë.

Ky vendim i paralajmëruar ditën e djeshme çon në bllokimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Me largimin e pritshëm të anëtares Altina Xhoxhaj, Gjykata Kushtetuese mbetet me katër anëtarë, konkretisht Bashkim Dedja, Vitore Tusha, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari. Por, anëtares Vitore Tusha, e vetmja gjyqtare që deri më sot i ka shpëtuar lakut të Vetingut, i ka mbaruar mandati.

Zonja Tusha është emëruar në Gjykatës Kushtetuese në mars 2008, ndërkohë që sipas Kushtetutës mandati i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese është 9 vjet. Gjithashtu, është ndaluar me ligj që anëtari i Gjykatës Kushtetuese të emërohet për një mandat të dytë.