Gjendet një makinë e braktisur në Shkodër me shenja plumbash dhe njolla gjaku

17 Tetor 2018, 14:05

Policia e Shkodrës njofton se është gjetur një makinë ndaj të cilës është qëlluar me armë. Ngjarja ka ndodhur më 14 tetor dhe makina është gjetur në fshatin Shtoj i Vjetër.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se brenda makinës janë gjetur njolla gjaku. Dyshohet se nga të shtënat mund të ketë patur një plagosje të lehtë ose edhe dhunë.

Makina është gjetur tek shinat e trenit, larg nga rruga nacionale. Mjeti tip Kia në të cilin është qëlluar me armë, dyshohet se është i vjedhur dhe se në të janë vendosur targa të tjera.

Njoftimi i plotë

Komisariati i Policisë Shkodër

Në fshatin Shtoj i Vjetër, Shkodër, është gjetur i braktisur automjeti tip KIA, ku nga këqyrja e bërë nga grupi hetimor në automjet ka shenja plumbi. Nga verifikimet e kryera nuk rezulton asnjë person i dëmtuar. Punohet për sqarimin e rrethanaave të ngjarjes, identifikimin e pronarit të mjetit, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Nenet 76, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.