Greqia njeh patentat shqiptare, ja çfarë përfitojnë emigrantët dhe udhëtarët

16 Gusht 2018, 16:22

Kohët e fundit dy qeveritë e Shqipërisë dhe Greqisë kanë miratuar një marrëveshje, sipas së cilës të dy palët njohin patentat e zakonshme të lëshuara nga të dy shtetet, pa kërkuar patentën ndërkombëtare.

Ndërkohë që për patentat greke, duke qenë se janë të një shteti të Bashkimit Evropian, nga ana e Shqipërisë nuk është kërkuar dokument tjetër, përfitimi në këtë rast vjen për qytetarët dhe emigrantët shqiptarë.

Kjo vjen si rezultat i aplikimit vitet e fundit të patentave të sigurta dhe të kontrollueshme nga ana e shtetit shqiptar, të sistemuara në një data base elektronike, ndërkohë që vite më parë ato ishin thjesht kartona, që nuk krijonin sigurinë e duhur.

Marrëveshja për njohjen e patentave mes Shqipërisë dhe Greqisë do të lehtësojë ndjeshëm jetën e qytetarëve shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, por dhe atyre që udhëtojnë drejt vendit fqinj dhe anasjelltas.

Një leverdi e madhe do të jetë kryesisht edhe për emigrantët që banojnë në Greqi, të cilët mund të konvertojnë në patentë greke, sipas dëshirës, patentën e tyre shqiptare.

Detajet

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka publikuar detaje të kësaj marrëveshje, të miratuar me VKM Nr. 479, datë më 31.07.2018.

Kjo Marrëveshje është lidhur me një afat të pacaktuar kohor dhe ofron dy mundësi me leverdi jo të vogël.