Grupi “Bajri” hetohet për vrasjen e Fatbardh Licit/ Kush janë ‘VIP’-at dhe politikanët që flisnin me ta

Zbulohen detaje të reja nga dosja hetimore e një prej grupeve me të rrezikshme kriminale në Shkodër, grupit "Bajri", anëtarët e të cilit u arrestuan dy ditë më parë. Përveç vrasjeve të vitit 2000, grupi kriminal “Bajri” po hetohet edhe për ekzekutimin e Fatbardh Licit në Shkodër. Fatbardh Lici u qëllua me breshëri kallashnikovi mëngjesin e datës 10 gusht. Lici dhe Bajri prej disa vitesh janë grupe rivale në Shkodër dhe burime nga Task-Forca i thanë Report TV, se dyshojnë që vrasja e Licit është bërë nga grupi “Bajri”.

Për këtë fakt Prokuroria do të pyesë të gjithë anëtarët e grupit kriminal “Bajri” të cilët janë arrestuar në Tiranë e Shkodër, përfshirë Safet Bajrin.

Dyshohet se Fatbardh Lici është ekzekutuar nga një vrasës me pagesë dhe pas tij mund të qëndrojnë anëtarët e familjes Bajri. Task Forca tregohet e rezervuar me këtë informacion, por burimet theksojnë se pjesë e dosjes është edhe vrasja e Fatbardh Licit në Shkodër.


Ky fakt është konfirmuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu u shpreh se grupi kriminal “Bajri” po hetohet për disa ngjarje të ndodhura muajin e fundit në Shkodër.


Ndërkohë Report TV ka mësuar se grupi “Bajri” prej kohësh ishte në përgjim. Nga bisedat e zbardhura deri më tani, Safet Bajri, Behar Bajri dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi, kanë folur me persona “VIP”, ku përfshihen në disa raste edhe politikanët. Emrat e këtyre personave nuk bëhen të ditur, por janë pjesë e dosjes që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dorë.


9 të arrestuarit në Tiranë dhe Shkodër, pritet të dalin para Gjykatë së Krimeve të Rënda për tu njohur me masën e sigurisë. Duke qenë se kemi të bëjmë me persona me rrezikshmëri të lartë, Policia pritet të mbajë të rrethuar ditën e hënë Gjykatën e Krimeve të Rënda. Para Gjykatës do të dalin Safet Rustemi Bajri, Ilir Rustemi, Emrah Plaku, Astmer Bilali. Armir Grimaj, Fabiol Rexhepi, Ismet Idrizi, denis Brajoviq dhe Klaudio Haxhalliu. Paralelisht në Hollanë do të njihen me masën e sigurisë Behar Bajri dhe Samet Halluni.
Të gjithë këta persona akuzohen për vrasje me dashje, gjobëvënie, armëmbajtje pa leje, vrasje e mbetur në tentativë, trukim ndeshjesh, armëmbajtje pa leje, të gjitha këto vepra në formën e grupit të strukturuar kriminal.