Incidenti i Bularatit, Paskal Milo tek '5 pyetje': Ngjarja u shfrytëzua nga opozita greke për vota

12 Nëntor 2018, 21:44

TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, i ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo”, ka folur mbi ngjarjen e Bularatit, ku një ekstremist grek u vra pas një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA. Milo në fjalën e tij, u shpreh se e përjashtonte idenë e një skenari konspiracioni dhe se i përshëndeste deklaratat e të dyja qeverive, të cilat i cilësoi si korrekte. Por sipas Milos, nga kjo ngjarje ka nxituar të përfitojë opozita greke dhe sidomos partia “Agimi i Artë”, për disa vota më tepër në zgjedhjet e ardhshme në Greqi.

INTERVISTA E PLOTË:

Çfarë e shkaktoi incidentin e Bularatit?

Une e kam ndjekur si të gjithë shqiptarët. Nuk ka pasur asgjë të parapërgatitur. E përjashtoj idenë e skenarëve dhe konspiracioneve. Ngjarjen e Bularatit ose veprimet e atij djali që fatkeqësisht humbi jetën mund ta kenë shfrytëzuar qarqe të ndryshme politike. Në këtë atmosferë që u krijua atje është shumë e lehtë që njeriu të binte në nacionalizëm për fat të keq.

Funeralin e ndoqa kalimthi. Ngjarja vetë ishte një incident që me pak kujdes mund të shmangej. Ngjarja e tij u keqshfrytëzua. Nuk ka pasur skenar në mënyrën e veprimit të atij djalit. Por në varrim po. Ishin qarqet ekstremiste ato që përfituan. Në varrimin e tij nuk kishte vend për shfaqje të tilla. Përkundrazi u tregua një egërsi nacionaliste.

Thuhet që terroristet e njërës palë janë heronj të palës tjetër, a është ky rasti?

Jo, gjithmonë. Në Kuvend u mbajt një minutë heshtje. Rregullorja nuk e parashikon por ka patur një debat të brendshëm. Kjo ndodhi që partitë të mos humbasin vota në emër të nacionalizmit. Megjithatë dua të bëj një dallim mes qeverisë greke dhe opozitës. Janë shumë larg njëra-tjetrës. Qeveria mbajti një qëndrim korrekt. Qeveria e quajti rastin një incident. Ka shumë gjëra që dy qeveritë duhet të vazhdojnë të komunikojnë. Ndërsa qarqet ekstremiste synojnë të rriten nga fatkeqsitë e të tjerëve.

The që vrasja mund të ishte shmangur...

Është një hipotezë. Nëse djali mund të kishte dy këshilltarë që të kishin negociuar besoj se po. Megjithatë unë nuk jam ekspert. Nëse forcat tona të provokuara të mund ta mbanin rrethimin për një kohë më të gjatë.

Po deklarata e ish-ministrit të Jashtëm grek, Theodhoros Pangalos, i cili tha se kudo vritesh nëse i drejton armën policisë?

Patjetër. Ky është një rregull bazë. Jemi në një marrëdhënie që tensionohet nga hiçi. Ka shumë raste të tilla.

A mund të kthehet varreza e ushtarëve grekë në një burim të përhershëm tensioni?

Nëse do të lejohen ngjarje të tilla edhe mund të ndodhë. Ky proces duhet të administrohet në mënyrë të kujdesshme.

Si e gjykoni reagimin e parë të dy qeverive menjëherë pas vrasjes? 

Nga pala shqiptare ishte shumë korrekte. Deklaratat ishin me tone të ulta dhe korrekte. Edhe nga ana e qeverisë greke ishin deklarata me tone korrekte. Kërkonte sqarime por shprehte qartë që ky incident nuk duhet të pengonte në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Për 5 vjet keni qënë Ministër i Jashtëm, kur është marrë vendimi për ndërtimin e varrezave?

Na është kërkuar kthimi i eshtrave po ashtu siç u bë edhe me italianët. Por pastaj qeveritë greke ndryshuan mendim nga viti 1970. Dhe të gjitha pastaj i qëndruan të njëjtit mendim. Pas vitit 1990 kanë kërkuar që të ndërtohen varrezat. Qeveritë shqiptare të kohës nuk e kemi dhënë vijën. Ose e kemi lënë në heshtje ose e kemi marrë shënim. Kjo çështje u rihap në 2005 në kohën e qeverisë Berisha.

Përse e refuzuat ju?

E refuzuam si vijimësi që mund të ngrinte probleme mes dy vendeve.

A është kjo një lloj vije imagjinare e Vorio Epirit?

Jo nuk ka qënë kjo pse e kemi refuzuar. Ushtria greke duke e ndjekur atë italiane dhe fronti i luftimeve u vendos në Tepelenë-Këlcyrë-Përmet. Aty ku është edhe kodra 721. Më pas kalonte dilte në Pogradec dhe në rrethinat e Korçës. Aty mund të jenë vrarë 10000 mijë ushtarë grekë të vrarë në tokën shqiptare.

Cila ka qënë kërkesa, një apo më shumë varreza?

Nuk kemi hyre fare në detaje. Është shtruar çështja dhe kaq.