Inspektori i IKMT Fatmir Meta 'bën për dy lekë' deputetët e PD: Ishit tetë vjet në pushtet dhe nuk bëtë gjë, shifni kostumet tuaja

Teksa po zhvillohet protesta e një pjese të banorëve të Shkozës, ka patur mjaft tension midis punonjësve të IKMT-së dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Këta të fundit, sikurse përgjatë 30 ditëve, kanë dalë përkrah banorëve të cilët po kundërshtojnë gjithnjë e më shumë projektin "Unaza e Madhe". 

Në një moment, dy deputetët demokratë, Grida Duma dhe Aldo Bumci janë konfrontuar me punonjësit e IKMT-së si dhe me inspektorin e saj, Fatmir Meta. Teksa deputetët paralajmëruan që nuk do të mund të shembin dot banesat, punonjësi i IKMT-së Fatmir Meta iu kthye duke i kërkuar të bëjnë tjetër kund politikë e jo me "hallexhinjtë", pasi kostumi i tyre kushton sa një banesë që pritet të shembet nga momenti në moment.

Në shtator të këtij viti, qarkulloi lajmi se inspektori i KMT-së, Fatmir Metaj kërcënoi deputetin demokrat Agron Shehu për prishjen e bizneseve në Jalë. Madje, Partia Demokratike doli në një deklaratë për shtyp asokohe dhe deklaroi se e ka dërguar Fatmir Metan për këtë akt në Prokurori.