Ish-ministri i Jashtëm Kotzias: Ushtria greke refuzon të njohë kufijtë me Shqipërinë

14 Nëntor 2018, 20:21

Një lajm tejet sensacional e alarmues ka lëshuar sot ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias. Sipas ministrit të sapodorëhequr, ushtria greke refuzon që të njohë kufijtë shtetërorë midis Shqipërisë e Greqisë. “Ushtria jonë refuzon që të njohë kufijtë midis Greqisë e Shqipërisë. Ushtria duhet që të bëjë disa veprime me anë të të cilave të shprehet njohja e kufijve prej saj dhe nuk po i bën”, ka deklaruar Kotzias gjatë një interviste të dhënë sot për një radio greke.

Pasi lëshoi deklaratën e fortë për mosnjohjen e kufijve Greqi-Shqipëri, nga ushtria greke, ish-ministri është shprehur i shqetësuar edhe për ndikimin që kanë forcat ekstremiste nacionaliste në Greqi. Kotzias ka folur hapur duke treguar se ka ende shumë faktorë poltikë në Greqi që kanë rivendikime territorialë ndaj Shqipërisë, duke refuzuar të njohin traktatet ndërkombëtare.

“Ka shumë forca në vendin tonë që nuk duan që ne të sanksionojmë juridikisht dhe të themi që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore me Shqipërinë dhe të njohim zyrarisht kufijtë me Shqipërinë. Po hapin tema të vjetra si Vorio-Epiri. Nuk njohin Traktatet e Firences dhe Parisit, si dhe marrëveshjen e Helsinkit. Disa deklarata të tilla synojnë drejt Traktatit të Korfuzit që parashikonte autonominë e Vorio Epirit'.

Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë e ka lëshuar një deklaratë të tillë pasi është pyetur nga gazetarët rreth situatës të acaruar kohët e fundit midis Greqisë e Shqipërisë pas vrasjes së minoritarit Konstandison Kaçifas nga policia shqiptare. Kotzias pasi ka shprehur keqardhjen për vdekjen e minoritarit ka theksuar se një rast episodik nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet midis dy shteteve, pasi sipas tij Greqia e ka problemin kryesor nga lindja, duke lënë të nënkuptohet për Turqinë.

“Çdo jetë e humbur është një humbje e madhe. Çdo jetë që mund të ishte mbrojtur me një mënyrë tjetër është një fitore e madhe. Nuk duhet që në emër të ngjarjeve negative të drejtohemi në ashpërsimin e marrëdhënieve dypalëshe me fqinjët. Kjo sepse problem ynë nuk janë as Shqipëria, as FYROM dhe as Bullgaria, problemi ynë është nga lindja, të mos shpërqendrohemi”, u shpreh Kotzias.