Italiani në gjyq: Shkodrani më mashtroi, mora 1 mijë € për transportin e pasaportave, më futi drogë

Durrës- Tentoi të trafikojë drejt Italisë 6 kg kanabis të fshehur në dyshemenë e automjetit të tij, do të qëndrojë në burg me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogë italiani Pierro Mormina.

Janë këto pamjet e Morminës në Gjykatën e Krimeve të Rënda aty ku kreu i kësaj gjykate Sandër Simoni ka miratuar kërkesën e prokurorit Dritan Prenci për të caktuar masën e arrestit me burg.

Mormina pranoi se prej 1 jave ndodhej në Shkodër me pushime ku kishte ardhur me makinë dhe aty kishte takuar një person djalë i ri.

Në gjyq Mormina sqaroi se:

“Në Shkodër isha me pushime, aty takova një djalë të ri emrin e të cilit nuk e kujtoi. Më tha se do të dërgoja në Itali disa pasaporta false kundrejt një shpërblimi prej 1000 mijë euro, më mori makinën për të vendosur pasaportat dhe ma ktheu sërish. Nuk e dija se kishte drogë, vetëm kur u ndalova nga policia në Durrës zbulova se kishte drogë në makinën time”.


60-vjeçari u ndalua dy ditë më parë teksa ndodhej në sheshin e trageteve në portin e Durrësit në tentativë për tu larguar në Itali nëpërmjet tragetit Durrës-Bari. Atij i janë bllokuar makina, mjetet e identifikimit si dhe telefoni celular nga i cili prokuroria shpreson të arrijë tek grupi kriminal që 60-vjeçari italian mori drogën.