Vrau për gjakmarrje në 1999, arrestohet pas 19 vitesh i dënuari me 20 vite burg

14 Gusht 2018, 18:14 | Përditesimi i fundit: 2018-08-14 18:17:51

Arrestohet në Pukë një i dënuar me 20 vite burg për vrasje. Ndue Memaj, 39 vjeç, banues në Lezhë, ishte në kërkim prej 19 vitesh për dy vrasje të kryera në vitin 1999. Në 2013-ën, Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 20 vite burg për veprat penale “Vrasja me paramendim" e "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit". Memaj ka vrarë për gjakmarrje në vitin 1999 shtetasin Jak Ndoka, i cili po drejtonte një automjet furgon në Fushë Arrëz kur u qëllua për vdekje nga i arrestuari. Furgoni del nga rruga dhe përplaset me një kioskë aty pranë brenda së cilës ndodhej shitësi, Agron Hyseni, i cili për pasojë ka humbur jetën. 

Dinamika e ngjarjes, si ndodhi vrasja në 1999
Gjykata e Pukës e ka gjetur fajtor të riun dhe e ka dënuar në vitin 2000. Memaj, më datë 8 nëntor 1999, në Fushë-Arrëz ka qëlluar me automatik dhe ka vrarë shtetasin Jak Ndoka. Në momentin e vrasjes, Ndoka ka qenë duke drejtuar mjetin e tij furgon dhe si pasojë është përplasur me një kioskë, duke shkaktuar vdekjen e shtetasit Agron Hyseni, i cili gjendej brenda saj. Nga kjo ngjarje është plagosur gjithashtu edhe një kalimtar i rastësishëm. Më pas autori është larguar nga vendngjarja, duke i dhënë një letër kryeplakut të fshatit në të cilën shkruhej se vrasjen e kishte kryer për gjakmarrje.