Klosi: Nga 1 janari 2019 nuk do të lejohet importi i makinave mbi 10 vjet prodhim

22 Shtator 2018, 15:31 | Përditesimi i fundit: 2018-09-22 18:20:32

Nga 1 janari i vitit 2019 nuk do të lejohet importimi i makinave të përdorura mbi 10 vjet prodhim'. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar projektligjin e ri që do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. 

Ministri Klosi sqaroi se projektvendimi nuk prek makinat e përdorura mbi 10 vjet prodhim që janë aktualisht në qarkullim, por kufizon futjen e makinave të tilla pas 1 janarit 2019. Ndërsa për makinat e patarguara që janë aktualisht në Shqipëri do të lihet një afat 5 mujor që të regjistrohen.

Duke iu referuar pasojave negative të përdorimit të makinave mbi 10 vjet prodhim që e shtynë administratën e mjedisit në përgatitjen e këtij projektvendimi, ministri Klosi përmendi dëmet në shëndetin e njerëve, në mjedis dhe ekonominë e cdo qytetari të shtresës së mesme.

Ka ardhur koha që të vihen disa rregulla të cilat sigurojnë 3 gjëra shumë të mëdha; e para shëndetin e qytetarëve, e dyta të sigurohen njerëzit që të mos manipulohen për të konsumuar të ardhurat e tyre të kufizuara për të shkuar drejt një sistemi i cili i gënjen dhe i manipulon dhe e treta për të krijuar në Shqipëri një ambjent të pastër, një destinacion të vërtetë për njerëzit që duan ta vizitojnë nga pikëpamja turistike.