Kreditimi bankar/ Rregullat e reja, si mund të ndryshosh pengun gjatë pagesës së kredisë

21 Prill 2018, 11:40

Më ndryshmet e reja, që ka miratuar së fundmi Banka e Shqipërisë, personave që kanë marrë në banka kredi konsumatore apo hipotekare u krijohen më shumë hapësira për të ndryshuar monedhën e kredisë apo llojin e hipotekës. Ata mund të kalojnë nga pagesa në euro, në atë me lekë, ose mund të ndryshojnë madje edhe kolateralin (pasurinë e lënë peng) gjatë periudhës që paguajnë këstet e kredisë.

Monedha

Konsumatorit i njihet e drejta të kërkojë konvertimin e monedhës së kredisë, në monedhën, me të cilën merr pagën mujore. Në shumicën e rasteve, për një shtëpi apo makinë, shitësit kërkojnë pagesë në euro dhe kredinë konsumatori e merr në këtë valutë. Por ai e merr pagën në lekë. Tani i krijohet një mundësi e dytë. Në rastet e konvertimit të monedhës së kredisë në monedhën në të cilën gjenerohen të ardhurat, kursi i  këmbimit me të cilin do të realizohet konvertimi i monedhës së kredisë do të jetë kursi zyrtar i bankës në ditën që kryhet konvertimi, nëse nuk përcaktohet ndryshe në kontratë.

Banka, për kredinë në monedhë të ndryshme nga monedha në të cilën konsumatori siguron të ardhurat, njofton këtë të fundit nëpërmjet një shkrese ose një mjeti komunikimi, në rastet kur, si rezultat i ndryshimit të kursit të këmbimit, vlera e kësteve të rregullta të pagesës rritet me më shumë se 20% nga vlera që do të rezultonte, nëse do të aplikohej kursi i këmbimit midis monedhës së kredisë dhe monedhës në të cilën konsumatori siguron të ardhurat, në datën e nënshkrimit të kontratës. Njoftimi përmban informacion për konsumatorin, mbi rritjen në vlerën e kësteve të pagueshme prej tij dhe të drejtën që ekziston për ta konvertuar tepricën e mbetur të kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhurat.