Ky është Enver Bajri, truri i grupit kriminal 'Bajri', dyshohet se fshihet në Belgjikë

24 Shtator 2018, 16:34

Report Tv dhe Shqiptarja.com sigurojnë foton e Enver Bajrit, 45-vjeç, njeriut që konsiderohet si truri i grupit kriminal "Bajri". Disa nga anëtarët e bandës së tij u arrestuan pak ditë më parë në kuadër të operacionit "Oaz" në Shkodër, Tiranë dhe Roterdam të Holandës.

Gjashtë prej anëtarëve të kësaj bande u lanë në masën e arrestit me burg këtë të hënë 6 nga 11 të arrestuarit, pasi ndaj tyre rëndojnë disa akuza të rënda si vrasje, trafik droge, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh. Mes të arrestuarve është edhe Safet Bajri, i afërm me Enver Bajrin. 

Enver Bajri dyshohet se fshihet në Belgjikë. Ai konsiderohet si koka i grupit kriminal të Bajrave në Shkodër. Enver Bajri është shpallur në kërkim nga policia por në operacionin e zhvilluar disa netë më parë nuk u arrit të arrestohej. Të shtunën, në Roterdam u arrestuan Behar Brajoviç (Bajri) dhe Samet Halluni. Nga operacioni "Oaz" i zhvilluar në Tiranë dhe Shkodër ranë në pranga Safet Rustemi Bajri, Ilir Rustemi, Emrah Plaku, Astmer Bilali. Armir Grimaj, Fabiol Rexhepi, Ismet Idrizi, Denis Brajoviç dhe Klaudio Haxhalliu. 

Vrasje, trafik droge dhe gjobëvënie/ Dosja e Prokurorisë për grupin "Bajri"
Gazetarët e Shqiptarja.com dhe Report TV publikojnë të dhëna të reja mbi dosjen e prokurorisë. Nga hetimet është zbuluar se vrasja e Arben Tuzit në Shkodër dhe vrasja e Fabiola Bajrit është kryer me të njëjtën pistoletë. Arma e krimit që është pëdorur në këto dy vrasje është gjetur në banesën e Behar Bajrit. Ekspertimi teknik dhe balistik ka vërtetuar se pistoleta është pëdorur në dy krime.

Të dhënat tregojnë se Tuzin dhe 15 vjeçaren Fabiola Bajri, dyshohet se i ka vrarë Behar Bajri. Ka të dhëna të sakta se Bajri dhe viktima Tuzi kanë pasur një vit para vrasjes një shkëmbim zjarri mes tyre. Palët janë pajtuar me ndërhyrjen e pleqësisë duke falur njëri-tjetrin, por sërish situata është tensionuar. Vetëm pak muaj pas vrasjes së Tuzit në Shkodër me të njejtën armë është vrarë Fabiola Bajri 15 vjeçe. Fabiola është vrarë me një plumb pas shpine gjë që tregon se nuk ka kryer vetëvrasje. Ndërkohë dy plumba të tjerë janë qitur nga pistoleta dhe kanë hyrë në tavan dhe mur. Arma është gjetur në dhomën e gjumit dy metra larg viktimës.

Prokuroria ka dalë në konkluzionin se viktima nuk mund të qëllonte vetveten nga pas, pra në shpinë. Do ishte rast unikal vetëvrasje, thonë prokurorët. Dyshohet se ekzekutori i Fabiolës dhe Tuzit është Behar Bajri. Shumë shpejt do kërkohet ekstradimi i tij nga Hollanda. Për llogari të këtij grupi janë dokumentuar dhe disa gjobëvënie. Fabiola Bajri, 15 vjeç është vrarë më 20 qershor 2002 Në fakt, ka patur një hetim. Ajo ka qenë gruaja e Behar Bajrit, në atë kohë është dalë në përfundim se ka qenë vetëvrasje. 

Safet Bajri u arrestua në Tiranë tre ditë më parë në ambientet e një bilardoje, ndërsa në pranga kanë rënë të total 11 persona të grupit 'Bajri'. Të arrestuarit përfshirë Safet Bajrin akuzohen në Shqipëri për vrasje, gjobëvënie ndaj bizneseve, kërcënim si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal,  trukim ndeshjesh, armëmbajtje pa leje. Para Gjykatës dalin sot Safet Rustemi Bajri, Ilir Rustemi, Emrah Plaku, Astmer Bilali. Armir Grimaj, Fabiol Rexhepi, Ismet Idrizi, denis Brajoviq dhe Klaudio Haxhalliu. Paralelisht në Hollanë do të njihen me masën e sigurisë Behar Bajri dhe Samet Halluni.

Shqiptarja.com dhe Report Tv mësuan se grupi 'Bajri' po hetohet edhe për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër. Fatbardh Lici u qëllua me breshëri kallashnikovi mëngjesin e datës 10 gusht. Lici dhe Bajri prej disa vitesh janë grupe rivale në Shkodër dhe burime nga Task-Forca i thanë Report TV, se dyshojnë që vrasja e Licit është bërë nga grupi “Bajri”. Dyshohet se Fatbardh Lici është ekzekutuar nga një vrasës me pagesë dhe pas tij mund të qëndrojnë anëtarët e familjes Bajri. Task Forca tregohet e rezervuar me këtë informacion, por burimet theksojnë se pjesë e dosjes është edhe vrasja e Fatbardh Licit në Shkodër. Për këtë fakt Prokuroria do të pyesë të gjithë anëtarët e grupit kriminal “Bajri” të cilët janë arrestuar në Tiranë e Shkodër, përfshirë Safet Bajrin.

Ndërkohë Report TV ka mësuar se grupi “Bajri” prej kohësh ishte në përgjim. Nga bisedat e zbardhura deri më tani, Safet Bajri, Behar Bajri dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi, kanë folur me persona “VIP”, ku përfshihen në disa raste edhe politikanët. Emrat e këtyre personave nuk bëhen të ditur, por janë pjesë e dosjes që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dorë.

l.q./b.ha.

    No videos found.