‘Luani me sy të nxirë në Fier’, policia nis aksionin për zhvendosjen e kafshëve nga Safari Park

17 Tetor 2018, 13:37 | Përditesimi i fundit: 2018-10-17 18:07:32

Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi ka reaguar pas lajmit të britanikes “Daily Mail, për Safari Park Zoo lidhur me gjendjen në të cilën ndodhen kafshët në këtë kopsht zoologjik.

Në një status në Facebook, Klosi njofton se ka urdhëruar nisjen e një aksioni nga Inspektoriati i Mjedisit, Policia e Shtetit dhe Shoqata për Mbrojtjen e kafshëve, për të bërë zhvendosjen e kafshëve nga ky kopsht dhe për t’i marrë ato në mbrojtje.

Ministri e konsideron ngjarjen si të turpshme.

Në përgjigje të lajmit të publikuar në Daily Mail dhe dhjetëra mesazheve për situatën e papranueshme, ku jetojnë disa kafshë në një kopësht zoologjik privat në Fier, urdhërova urgjentisht nisjen e një aksioni nga Inspektorati i Mjedisit, i cili në bashkëpunim me Policinë e Fierit dhe Shoqatën për Mbrojtjen e Kafshëve kanë vendosur të zhvendosin kafshët me qëllim marrjen e tyre në mbrojtje nga kjo e fundit.  Aksioni do të vijojë edhe nesër deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj ngjarje të turpshme! 
Faleminderit për cdo mesazh tuajin!

Blendi Klosi, ministër i Mjedisit

Gazeta “Daily Mail” e ka përshkruar këtë kopsht si ‘Kopshti zoologjik i ferrit!’ Në reportazh shihen pamjet sesi një luan është i kequshqyer e me sy të nxirë dhe me kafshë që qëndrojnë në kafazë të rrethuar nga papastërti.

“Ky luan kockë e lëkurë vuan nga një infeksion i syrit, mbahet në kushte të këqija dhe duket i paushqyer. Luani s’ka fuqi të ngrihet në këmbë nga mungesa e ushqimit. Kafshët jetojnë në kushte mizore, pa kujdes veterinar dhe dietë ushqimore.”Shkruante dje Daily Mail.