Me Tuareg dhe armë , i ikin policisë dhe përplasin 4 makina, policia arreston të 'fortët' në Tiranë

17 Gusht 2018, 16:17

Tirane- Kur kanë kaluar 12 orë nga nga ngjarja e ndodhur mbrëmë në rrugën “Jordan Misja”, vjen edhe sqarimi zyrtar i policisë së Tiranës.

Sipas tyre incidenti ka ndodhur mbrëmë rreth rreth orës 23:20, pasi shtetasit Gentjan Koçi, 25 vjeç, banues në Tiranë dhe Ervin Kodra, 33 vjeç, banues në Tiranë që udhëtonin me mjetin tip “Tuareg”, nuk i janë bindur shenjës së ndalimit të shërbimit të “Forcës së Posaçme Shigjeta”.

Mjeti drejtohej nga Gentjan Koçi, 25 vjeç dhe sipas policisë nuk kanë ndaluar pasi  mbanin 2 armë zjarri pa leje me vete.

Në momentin që patrulla e policisë iu ka bërë shenjë të ndalojnë, drejtuesi i mjetit ka shtuar shpejtësinë duke u përplasur edhe me 4 mjete të tjera në rrugë, të cilave iu kanë shkaktuar dëme materiale.

Policia thotë se është vënë në ndjekje të tyre dhe i ka ndaluar në rrugicat e rrugës “Jordan Misja”, ku dhe u bë arrestimi në flagrancë.

Gjithashtu nga ana e shërbimeve të Policisë janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri të llojit “Pistoletë”, të hedhura prej shtetasve të lartpërmendur pasi braktisën mjetin, në oborrin e një banese dhe në një rrugicë.Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Shkatërrim prone” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë”.