Monitorimi online i bizneseve, PD insiston: Tenderi abuziv, 100 mln euro dëm sipërmarrjes

22 Shtator 2018, 20:09

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se ka miratuar një tender korruptiv dhe të panevojshëm për monitorimin online të bizneseve. Sipas selisë blu, monopoli i kontrollit të faturimit mbi biznesin, rrit kostot nga 600-1000 euro për çdo biznes. Deputetët demokratë Jorida Tabaku dhe Endri Hasa deklaruan se përmes këtij tenderi, dëmi që i shkaktohet biznesit shkon deri në 100 milion euro.

"Nisma e qeverisë Rama, që mund të çojë në falimentimin e mijëra bizneseve për shkak të rritjes drastike të kostove, vjen pak kohë pasi Edi Rama ashpërsoi ndëshkimin e bizneseve, duke dyfishuar gjobat për mos shtypjen e kuponit tatimor", deklaroi Jorida Tabaku.

"Tenderi korruptiv prej 15 milionë euro i shkakton biznesit një dëm prej 80-100 milionë euro. Heq nga qarkullimi kasat fiskale dhe detyron bizneset të blejnë pajisje të reja për sistemin e ri. Tenderi korruptiv prej 15 milionë euro që detyron biznesin të transmetojë në kohë reale për çdo shitje nuk duhet të zbatohet! Ai do të jetë vrasësi i mijëra vendeve të punës në Shqipëri dhe i falimentimit të mijëra bizneseve", tha deputeti Endri Hasa.

JORIDA TABAKU, DEPUTETE PD 
3 vjet më parë Partia Demokratike zbuloi skandalin e Edi Ramës për dhënien e koncesionit të TVSH-së prej 67 milionë eurosh një kompanie të lidhur me vëllanë e tij, Olsi Rama, një kompanie kineze offshore. Në atë kohë, për shkak të zbulimit të skandalit, Edi Rama u tërhoq nga plani për t’ia dhënë koncesionin e TVSH-së kinezëve të lidhur me ortakët e Olsi Ramës. Por faktet tregojnë se Edi Rama nuk është tërhequr nga vjedhja e biznesit që vepron në Shqipëri, për llogari të një firme kroate, besoj lidhjet me të cilën do të zbulohen së shpejti.