Fushë-Krujë/ Jepte para me fajde, gjendet i groposur me 2 plumba në kokë Kejsi Hysa

Fushë Krujë- Gjendet i groposur Kejsi Hysa, i zhdukur prej 9 ditësh. Report Tv mëson se Hysa është gjetur i groposur pranë varrezave të fshatit Nikël të Fushë-Krujës, pikërisht aty ku banonte. Kejsi Hysa, njihej ndryshe edhe me emrat Eljon Hysa dhe Sahit Hysa. 

Banorë të zonës i kanë thënë grupit hetimor se viktima njihej ndryshe si “Tik Fajdexhiu”, pasi jepte para me përqindje.

Pak ditë më parë familja e 34-vjeçarit denoncoi zhdukjen e tij dhe hodhi dyshime se i riu mund të jetë vrarë. Eljon Hysa, i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje në Sarandë në 2015-në, i fshihej policisë.

Ai prej kohësh qëndronte në banesën e tij në fshatin Nikël, për të mos u arrestuar.

Por në datën 5 korrik ka dalë nga banesa dhe më pas nuk është rikthyer më.

Dyshohet se Kejsi Hysa mund të jetë rrëmbyer, është vrarë dhe më pas është groposur pranë varrezave të fshatit Nikël, në mënyrë që trupi i tij të mos zbulohej.

Por një sinjalizim i banorëve të këtij fshati, ka bërë që Policia e Laçit të zbulojë trupin e 34-vjeçarit, për të cilin familja Hysa kishte bërë denoncim.

2 janë personat e dyshuar si autorët e kësaj ngjarjeje. Njëri prej tyre, pronari i mobilerisë Hysni Ramaj, është shoqëruar në Komisariatin e Krujës. 

Mësohet se vrasja e Hysës nuk ka lidhje me ngjarjen e vitit 2015 në Sarandë. Dyshimet e para janë se vrasja mund të jetë kryer për shkak të pazareve të prishura, pasi viktima ishte përfshirë edhe në shitje droge.