Nga Bylykbashi tek Eno Bozdo, emrat e njohur që morën kredi si të pastrehë, përjashtohen nga falja

23 Maj 2018, 09:54

Mbi 140 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë janë përjashtuar nga falja e kësteve të mbetura të kredive të marra nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, për blerjen e një banese. Krahas zyrtarëve, nga falja e kredive janë përjashtuar edhe të gjitha kategoritë e tjera, të parashikuar në variantin e parë të ligjit për strehimin social.

Sipas variantit të miratuar të ligjit nga Parlamenti dy javë më parë, nga amnistia do të përfitojnë vetëm familjet e shpërngulura për shkak të ndërtimit të veprave publike dhe në pamundësi financiare.

Amnistia parashikohet në nenin 77, pika 5 e ligjit të të ri për strehimin social. “Familjeve të shpërngulura për shkak të ndërtimit të veprave publike dhe në pamundësi financiare, të cilat kanë përfituar kredi nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, u falen detyrimet monetare, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave”, thuhet në ligjin e miratuar nga Parlamenti.

Ndërkaq, varianti i parë i projektligjit, parashikonte përfshirjen në amnisti edhe të kategorive të tjera. Varianti i parë parashikonte: “Familjeve të shpërngulura për shkak të ndërtimit të veprave publike dhe kategorive të tjera në pamundësi financiare, të cilat kanë përfituar kredi nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, u falen detyrimet monetare, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave”.