OSBE dhuron 6 lexues portabël të pasaportave biometrike për Policinë Kufitare

olicia Kufitare do të përdorë 6 lexues lëvizës për pasaporta biometrike në pikat e kalimit, për të shmangur radhët e gjata dhe lehtësuar lëvizjen e grupeve të turistëve që vijnë me autobusë në Shqipëri. Punonjësit e Policisë do të shkojnë në çdo mjet, duke kontrolluar dokumentet biometrike dhe mos lejuar krijimin e radhëve të gjatë në pikat hyrëse e dalëse. Pajisjet janë të integruara në sistem dhe i transmetojnë të dhënat në kohë reale.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt ia dorëzoi lexuesit portabël, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Veliu dhe Borchardt vlerësuan si mjaft të mira marrëdhëniet mes Policisë së Shtetit dhe OSBE-së, si dhe nevojën për t'i forcuar akoma më tej.

Veliu falënderoi Ambasadorin për ndihmën e vazhdueshme kryesisht për Policinë Kufitare si dhe e ka siguruar atë se Policia e Shtetit mbetet e vendosur në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, migracionit të paligjshëm dhe terrorizmit.