Pa Gjurmë- Fakte nga zhdukja e dy vlonjatëve/Mbërritën në Itali me një sasi të madhe droge

16 Nëntor 2018, 21:26 | Përditesimi i fundit: 2018-11-16 21:27:17

Zhdukja pa lënë gjurmë e dy të rinjve nga Vlora i mban ende pezull zemrat e familjarëve. Njohja e vjetër që kishin bashkë 24 dhe 38-vjeçari si edhe zhdukja në të njëjtën kohë e tyre lë vend për dyshime, duke ngritur shumë pikëpyetje të mëdha. A ishin bashkë djemtë atë ditë? Apo ishte krejt rastësi zhdukja e tyre në mënyrë te mistershme dhe në të njëjtën kohë ? A kishte fati i tyre të njëjtin destinacion ?

Nëna e Taulandit, që asokohe ishte vetëm 20 vjec, u shpreh për moderatoren Odeta Dume se rastin e kishte dërguar në Polici, por strukturat e kësaj të fundit nuk kishin arritur ta ndihmonin atë për të zbuluar fatin e djalit."Shteti nuk bëri asgjë për djalin tim. Nëse ai do të kishte vrarë njeri, do e kishin futur brenda. Iku nga shtëpia për bukën e gojës, me një baba të sëmurë e pa katandi ku të fusë kokën", tregoi Tatiana në studion e "Pa Gjurmë". 

Nëna e Leonardit, Ferzilete tha se familja e saj me atë të Tatianës janë njohur vetëm për shkak të humbjes së djemve të tyre. Ajo e cilësoi veten dhe Tatianën si bashkëvuajtëse. Ferzilete rrëfeu më tutje se djali i saj kishte tre muaj që kishte dalë nga burgu dhe se përpara se të zhdukej sëbashku me Taulandin, nga shokët e djemve kishte mësuar se kishte ndodhur një konflikt midis tyre dhe dy miqve të tjerë. 

Tatiana insistoi në emision se të vërtetën e zhdukjes së djalit të saj e di vetëm pronari i llotos ku ka punuar Taulandi. "E di pronari i llotos, Aleksandri e di shumë mirë historinë. Dua t'i bëj një thirrje, edhe pse është në burg, të më thotë të vërtetën.Ai më tregoi mesazhin, më pas e fshiu. Në mesazh shkruhej: E dorëzuam plackën, nuk erdhi, c'u bë? Pronari i djalit ishte pronari i gjithckaje. Unë gjakun e djalit nuk e lë. Kur ika tek lloto më tha dil përjashta", tha ajo. "Djali im ska qenë asnjëherë me lekë nëpër duar, djali im nuk hante një sufllaqe, ishte i dhënë pas shtëpisë, e ka mbajtur shtëpinë që 9 vjec. Nuk besoj që është gjallë, sepse nuk rrinte një orë pa më marrë në telefon", rrëfeu më tutje Tatiana. 

Teksa në studion e "Pa Gjurmë" nënat po shprehnin vuajtjet e tyre, realizohet një lidhje telefonike me një person nga Italia, i cili pohoi se kishte një kushëri që njihte shokun e Taulandit. Me shpresën se Taulandi mund të jetë gjallë, dëshmitari i premtoi moderatores së emisionit se do të mundohej të kontaktonte me kushëririn e tij që ky i fundit të tregonte dicka më tej. Në fund, mamaja e Leonardit, Ferzilete i bëri thirrje nënës së nipit dhe mbesës së saj që ta lejojë të ketë kontakte me to. Farzilete u shpreh se fëmijët e të djalit në këtë situatë të trishtuar janë gjysma më e mirë e ngushëllimit për të.