Pranohet dekreti i Metës, hapet gara për Teatrin Kombëtar/ Report Tv siguron draftin

18 Shtator 2018, 20:31

TIRANE-Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka pranuar sot dekretin e Presidentit Meta për ndryshimet në ligjin për Teatrin Kombëtar, ndërsa ka miratuar edhe variantin e ri. Opozita theu bojkotin duke marrë pjesë në komision, por dekreti u miratua vetëm me votat e shumicës, pasi PD dhe LSI nuk votuan. Albana Vokshi përsëriti qëndrimin e opozitës për ligjin për Teatrin dhe deklaroi se nuk mund të bëhen arnime në ligj. Kryetari i Komisionit Eduard Shalsi deklaroi se PS ka përgatitur një draft të ri me ndryshimet.

Vendosëm të marrim në konsideratë të gjitha argumentet e parashikuara. Kemi arritur në konkluzionin e pranimit të dekretit të Presidentit. Nuk është rasti i parë që Kuvendi pranon dekrete Presidenti. Pas shqyrtimit të kujdesshëm në lidhje me atë që është shkruar. Kemi arritur në një draft propozim, që do e shqyrtojmë në lidhje me amendimet që do të bëjmë. Do të pranojmë dekretin e Presidentit duke ndërhyrë në disa nene të veçanta.

Eduard Shalsi

PD dhe LSI reaguan ashpër pas pranimit të dekretit dhe miratimit të draftit me amendamentet e reja. Sipas opozitës pas pranimit të dekretit të Presidentit, ligji bëhet nul, ndërsa për ndryshimet e reja që mund të bëhen procedura duhet që të rifillojë nga e para, me propozimet e grupit të deputetëve, futjen në kalendarin e punimeve, diskutimin në komisione dhe më pas votimin në parlament, që të cilësohet ligj i ri, pasi në mënyrën që po veprohet aktualisht i hiqet mundësia Presidentit për veto.