Protesta e studentëve/ Një grup simbolik qëndron para Kryeministrisë, ‘kapitullim’ edhe në rrethe

16 Dhjetor 2018, 11:00

Protesta e studentëve e ka humbur ritmin dhe numrat. Ditën e sotme, që kjo protestë shënon ditën e 13-të, por ende pa dialog, para Kryeministrisë është duke qëndruar një grup shumë i vogël, simbolik, me një numër të papërfillshëm. Protesta e studentëve është e vakët edhe në rrethe, ku siç mëson Report Tv, në qytetet kryesore, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Durrës, Shkodër e Berat nuk ka organizim për të protestuar. E njëjta situatë me protestën ishte edhe ditën e djeshme, ndërkohë që nuk ka asnjë sinjal për dialog me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, ka deklaruar se është pro 8 kërkesave të studentëve, por sipas tij, “ABC e demokracisë është dialogu”. Ndërkohë që nga dita e parë deri më tani, studentët kanë rreshtuar një sërë kërkesash të cilat janë përmbledhur tashmë në një letër me 8 pika drejtuar Ramës, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe ministres Lindita Nikolla.