Prokuroria e paraqiti si provë për Tahirin, si u fik radari i Sazanit në 2015/Dokumenti ekskluziv

15 Maj 2018, 10:17 | Përditesimi i fundit: 2018-05-15 10:34:51

Nga provat që ka paraqitur prokuroria në gjyqin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë në pah një fakt mjaft I rëndë për influencën që kishin trafikantët në strukturat e shtetit. Në datën 6 maj të vitit 2016 kur një peshkarexhë italiane e ngarkuar me drogën e grupit të Habilajve u nis nga Shqipëria për në Itali radari i ushtrisë u fik për t’u mundësuar kalimin e lirë.

“Nga këqyrja, në datën 6 maj 2015, rezultoi se në orën 01:07, shënimi i njoftimit të marrë nga Q.N.O.D për një mjet që ishte duke u afruar me shpejtësi në drejtim të Himarës, drejt të cilit u dërguan BP-24: në orën 01.15, njoftimi i marrë nga Q.N.O.D për daljen jashtë funksionit të Radarit të Sazanit në orën 01:35 njoftimi i marrë nga BP-06 se objekti ishte peshkarezha “Rozeta 1” që ishte duke u kthyer nga Palermo”, thuhet në dokumentin që publikojnë ekskluzivisht Report Tv e Shqiptarja.com. Pra nga ky dokument del qartë se në momentin që anija e trafikantëve të drogës, në këtë rast e bandës së Habilajve, nisej për në Itali, radari si rastësisht dilte jashtë funksionit.

Duhet theksuar se gazeta “Shqiptarja.com” ka qenë e para që e ka ngritur shqetësimin e mosfunksionimit të saktë të radarëve të ushtrisë që në vitin 2015 me një cikël shkrimesh, duke I paraprirë debateve politike që vijuan më vonë mbi këtë temë midis opozitës e maxhorancës.