'Qokat e fundit', Kushtetuesja i dha 300.000‎€ Fullanit para shpërbërjes

16 Gusht 2018, 20:16

Një nga vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, para se të shpërbëhej nga veprimi i ligjit të Vetingut, është edhe ‘vulosja’ e dëmshpërblimit të ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, me 56 rroga ose rreth 330 mijë euro, pas shkarkimit nga Kuvendi në shtator të 2014 dhe marrjes së pafajësisë pas akuzave të Prokurorisë si pjesë e përgjegjësisë për vjedhjen e 7 milionë USD në Bankën e Shqipërisë.

Kjo e fundit, tashmë me në krye guvernatorin Gent Sejko, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese, rrëzimin e vendimeve të të gjitha shkallëve të gjykatave për dëmshpërblimin e Fullanit. Sipas Bankës së Shqipërisë vendimet pro kërkesës së Fullanit për të marrë 56 paga, ishin të paarsyetuara, të njëanshme, kanë cenuar parimin e sigurisë juridike, ndërsa gjykatat ishin jo kompetente për shqyrtimin e një padi të tillë.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha dhe Fatos Lulo, që të tre të shkarkuar nga Vetingu, kanë vendosur moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare. Vendimi është marrë në datë 30.01.2018, disa javë para se të shkarkohej anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë. Pas Lulos, Komisioni i Vetingut shkarkoi nga detyra edhe Altina Xhoxhajn dhe Fatmir Hoxhën, po për shkak të mosjustifikimit të pasurive të deklaruara me burime të ligjshme të ardhurash.

Treshja e gjyqtarëve pretendoi se Banka e Shqipërisë e kishte paraqitur kërkesën në Kushtetuese jashtë afatit 4-mujor nga data e marrjes së vendimit të fundit nga Gjykata e Lartë për dëmshpërblimin e Ardian Fullanit.