Shkarkimet elektrike djegin pajisjet elektrike në Cërrik, banorët: Duam kompensim nga OSHEE

22 Qershor 2018, 17:08

Luhatjet e tensionit kanë djegur pajisjet elektroshtëpiake të rreth 200 familjeve në lagjen nr. 3 të Cërrikut. Nga dje kjo lagje ka mbetur edhe pa energji elektrike. Sot banorët janë ngritur në protestë dhe kërkojnë kompensimin e dëmit të shkaktuar.

Para kamerave ata shprehen se luhatja e tensionit u ka djegur televizorë, frigoriferë, lavatriçe, pompa uji etj. Ata shprehen se pasi erdhi energjia nga pajisjet doli tym e flakë. Të tjerë shprehen se kanë qenë në punë dhe nuk dinin gjë dhe kur kanë vënë në punë pajisjet u janë djegur. Edhe tregtarët ankohen se u prishën mallrat dhe se i kanë dërguar në tregtarë të tjerë.

Banorët e kësaj lagjeje ankohen se nuk kanë mundësi që të zëvendësojnë pajisjet e dëmtuara. Se janë pa punë dhe me asistencë. Por mbi të gjitha ata shprehen se paguajnë rregullisht energjinë dhe se kur ndodh që nuk e paguajnë ua ndërpresin dritat. Nga dje ata kanë mbetur edhe pa ujë pasi furnizoheshin me pompa.

Banorët kërkojnë ngritjen e një komisioni për vlerësimin e dëmit të shkaktuar dhe më pas kompensimin nga OSSHE. Në të kundërt ata kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës.