'Skandali'/ Basha firmosi privatizimin e Teatrit 'Metropol' në vitin 2013 (Dokumentet)

20 Shtator 2018, 15:12

TIRANE - Në një kohë kur opozita është kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, në vitin 2013 kryetari i PD-së, Lulzim Basha, asokohe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, firmosi privatizimin e godinës së Teatrit 'Metropol', me qëllim që atë ndërtesë t’ia jepte deputetit të PD-së për interesa të tij.

Një korrespondencë e fundit të mandatit qeverisës të PD-së në vitin 2013 ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ose ndryshe midis Lulzim Bashës dhe ministrit të atëhershëm, Florion Mima, zbulon skandalin e tmerrshëm të grabitjes së pronës së qytetarëve të Tiranës, pikërisht të Teatrit 'Metropol', teatri i vetëm i qytetit.

Letra e firmosur nga vetë Lulzim Basha lejonte që një pronë shtetërore e Bashkisë së Tiranës të privatizohej për interes të deputetit të PD, Astrit Veliaj, i cili më pas do ta përdorte atë për të zgjeruar ambientet e universitetit UFO, i cili është në pronësi të tij.

Me këtë firmë, Lulzim Basha hidhte në rrugë të madhe me dhjetra artistë të Teatrit 'Metropol'. Një hipokrizi therëse sidomos kur Lulzim Basha i sotëm çirret kundër ndërtimit të një teatri të ri modern për artistët dhe qytetarët e Tiranës, kurse Lulzim Basha i djeshëm privatizonte godinën e vetme të teatrit të qytetit, për interesa të një deputeti të partisë së tij.

Letërkëmbimi Basha-Mima

Pas një kërkese të pronarit të universitetit privat “UFO” për privatizimin e godinës që dikur ka shërbyer për Estradën dhe më pas për Teatrin Metropol, në prill të 2013, ministri i asaj kohe, Florion Mima, i nis një letër kryebashkiakut Lulzim Basha, ku i kërkon verifikimin e kësaj prone dhe pëlqimin e tij për privatizim.