Spiunët në administratë, ja institucionet që u spiunuan nga punonjësit e vet

23 Qershor 2018, 11:28

Që nga data 1 korrik i vitit 2017 spiunët kanë ‘pushtuar’ zyrat e shtetit dhe kompanitë private, në kuadër të zbatimit të ligjit të sinjalizimit të korrupsionit. Vetëm në pak muaj, 7 institucione publike, në nivel qendror dhe vendor, janë spiunuar nga punonjësit e tyre, për praktika abuzive.

Bilanci pasqyrohet në raportin vjetor të ILDKPKI, institucion ky i ngarkuar për zbatimin e ligjit të sinjalizuesve. Ky ligj është miratuar me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve si një ndër kushtet për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian.

Sipas raportit, gjatë vitit 2017, ka pasur sinjalizime brenda Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Bashkisë së Tiranës, Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Bashkisë dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

“Inspektorati i Lartë gjatë vitit raportues në ushtrim të kompetencave ligjore, si mekanizëm i jashtëm raportimi për sinjalizimin dhe kërkesat për mbrojtje nga hakmarrja, ka regjistruar dhe trajtuar në total 8 raste sinjalizimi dhe 1 rast kërkese për mbrojtje të ardhur nga sektori publik. Në lidhje me rastet e sinjalizimit, denoncimet kanë qenë si më poshtë vijon: 4 raste është pretenduar për shkelje të detyrimeve ligjore për konfliktin e interesit; 3 raste është pretenduar për shkelje ligjore në procedurat e tenderimit; 1 rast është pretenduar për shkelje në dhënien e vendimeve gjyqësore dhe falsifikim dokumentacioni në proceset gjyqësore”, thuhet në raport.