Surprizat e Vetingut/Gjyqtarëve u llogariten darkat, saunat dhe mbushja e dhëmbëve

22 Shtator 2018, 20:12

Verifikimi i ligjshmërisë së pasurisë mbetet kolona kryesore e Vetingut të rreth 800 njerëzve të drejtësisë shqiptare. Rëndësia e kriterit të pasurisë është konfirmuar edhe nga bilanci i deritanishëm i zbatimit të ligjit të Vetingut.

Nga rreth 30 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar deri më tani, vetëm një subjekt është shkarkuar për shkak të lidhjeve me krimin, konkretisht anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, ndërsa subjektet e tjera janë larguar nga drejtësia për mosjustifikim të pasurisë me të ardhura financiare të ligjshme.

Trupat gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, gjatë analizës financiare të të ardhurave të gjyqtarëve të prokurorëve në raport me shpenzimet dhe vlerën e pasurive të paluajtshme, kanë përllogaritur shpenzimet jetike, por edhe shpenzime të tjera, duke marrë parasysh shtresën e lartë shoqërore në të cilën bëjnë pjesë njerëzit e drejtësisë. Tek shpenzimet jetike përllogariten ushqimi, uji dhe faturat e energjisë elektrike.

Ndërkaq, KPK ka përllogaritur edhe shpenzimet për dreka dhe darka, për palestër, shpenzimet dentare, saunat, pushimet brenda vendit, udhëtimet etj.

“Nëse do të përllogariteshin me shifra më reale dhe të segmentuara për çdo zë: ushqimi, faturat e energjisë elektrike, të ujit, të shërbimeve televizive, interneti, pastrimi dhe mirëmbajtja e banesave dhe e autoveturave, siguracionet e ndryshme, argëtimeve të mundshme (si p.sh., frekuentimi i restoranteve, bareve, hoteleve, udhëtimeve dhe pushimeve brenda vendit, palestra, shërbime për mirëmbajtje trupi), shpenzime të mundshme mjekësore/dentare, etj., – sigurisht që do të arrinim në një shumëfish të shumës simbolike prej 3 eurosh në ditë për shpenzimet jetike për një anëtar të çdo familjeje të shtresës së mesme, kudo që ajo të ketë banuar dhe, natyrisht, akoma më tepër për shtresën e lartë”, thuhet në arsyetimin e vendimit të KPK, për përllogaritjen e shpenzimeve të gjyqtarit, Admir Thanza. Me të njëjtin standard, KPK po operon edhe me rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të tjerë.