'Tirana, një Europë e vogël', Veliaj inspekton punimet për parkingun e katërt nëntokësor

22 Shtator 2018, 19:20

Para tre vitesh, ndërtimi i një parkingu nëntokësor në kryeqytet ishte diçka e paimagjinueshme. Por, sot në Tiranë, përveç dy parkingjeve te sheshi “Skënderbej” dhe në hyrje të Bulevardit të Ri, të cilët kanë zgjidhur një pjesë të mirë të parkingut në qendër, po ndërtohen edhe dy të tjerë: ai te stadiumi dhe një tjetër në Rr. e “Elbasanit”. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen tek ky i fundit, një parking publik me dy kate nën tokë dhe 145 vende. Kurse, mbi sipërfaqen e tij është rikonceptuar këndi ekzistues i lojërave për fëmijë.

“Jam jashtëzakonisht entuziast për këtë projekt fantastik në Tiranë. Si çdo punë e bukur e Bashkisë, edhe kjo punë ngjalli histeri, lajme të rreme, protesta, sharje, shpifje. Ja ku jemi sot! Është kati minus 2 i parkimit, do të ketë edhe një kat më sipër, kurse mbi sipërfaqen e parkimit rikthehet këndi i lojërave i “7 Xhuxhave”. Nga një hapësirë publike e keqshfrytëzuar, e dhënë në privat, sot nuk e kemi luksin të shpërdorojmë asnjë centimetër katror, sidomos në një zonë që ka nevojë ulëritëse për parkim”, tha Veliaj.