Tubim në Gjirokastër në 8 dhjetor për shqiptarët e vrarë në Greqi, gazetari Artan Hoxha: Autoritetet nuk japin leje

5 Dhjetor 2018, 22:16

Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha zbuloi për emisionin "Repolitix" se është kërkuar nga disa qytetarë zhvillimi i një tubimi për shqiptarët e vrarë në Greqi ditët e fundit. Data e tubimit është zgjedhur 8 dhjetori, pikërisht ditën kur në Bularat do mbahet një ceremoni nga minoritarët për Konstandin Kaçifën. Artan Hoxha thotë se tubimi është kërkuar të zhvillohet përpara konsullatës në qytetin e Gjirokastrës, por autoritetet nuk kanë dhënë leje. "Ka edhe një iniciativë tjetër nga disa qytetarë të cilët janë mjaft të zhgënjyer nga qëndrimi që kanë mbajtur deri dje autoritetet shqiptare jo vetëm për Kaçifën, por edhe për ngajrjet e fundit që kanë ndodhur në Greqi, humbjen e jetës së 7 shtetasve shqiptarë në 2 javët e fundit. Është lajmëruar për në datën 8 dhjetor, ditën kur do mbahet një ceremoni përkujtimore për Kaçifën. Në sheshin "Çerçiz Topulli" i cili ndodhet përpara konsullatës greke, është njoftuar një tubim i cili synon që të grumbullojë sa më shumë shqiptarë me simbole kombëtare. Edhe pse është kërkuar një leje për këtë tubim, për 48 orë me radhbë policia e Gjirokastrës nuk ka miratuar grumbullimin për në datën 8. Nga kontakti që kam pasur sot me organizatorët, më kanë thënë se tubimi do zhvillohet sipas orarit dhe vendit të caktuar. Janë bërë ftesa në rrjetet sociale për një prani të madhe të shtunën e 8 dhjetorit në shesh në Gjirokastër", u shpreh gazetari Artan Hoxha.