Ushtarët mund të bëhen polic, zbardhen ndryshimet në ligj, Lleshaj propozon pranimin e ushtarakëve si pjesë e Policisë

6 Dhjetor 2018, 17:43

Të gjithë ushtarakët që mbajnë gradën “Major” dhe “Kapiten” mund të pranohen në Policinë e Shtetit. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka propozuar ndryshime në ligjin për Policinë, ku ushtarakët e trajnuar dhe me grada mund të bëhen pjesë e uniformave blu.

Pranimi i ushtarakëve do të bëhet pas marrëveshjes që do të kenë dy ministrat, ai i brendshëm dhe ai i mbrojtjes. Gjithashtu do të ketë kuota të posaçme se sa do të jetë numri i ushtarakëve që do të pranohen në Polici çdo vit. Fillimisht ushtarakët duhet të lirohen nga detyra dhe më pas do ti nënshtrohen një konkursi për tu pranuar në Polici.

Ushtarakët që kanë gradat “Major” dhe “Kapiten” janë të trajnuar për të hetuar dhe arrestuar kriminelët prandaj i plotësojnë kriteret për të punuar në polici, theksohet në relacionin që po përgatit Ministria e Brendshme, i cili më pas do të çohet për miratim në Parlament.

Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se do të ketë një numër të kufizuar pranimesh në Polici nga radhët e Ushtrisë dhe procedurat do të përcaktohen me udhëzim të ministrit. Të njëjtat burime saktësuan se ushtarakët e gradave “Major” dhe “Kapiten” janë të trajnuar ashtu si forcat special RENEA dhe mund ti bashkohen këtij reparti, ose do të krijohet një njësi e posaçme.

Duket se Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkon që pjesë e strukturave që ai do të punojë, të jenë edhe ushtarakët.