Veliaj: Do kemi në zemër të Tiranës, Teatrin e Ri Kombëtar më modern në Europë

24 Qershor 2018, 12:55

Pas sheshit Skënderbej dhe Pazarit të ri, Tirana do të ketë  një tjetër xhevahir që quhet Teatri i ri Kombëtar. Kjo është garancia që dha sot Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një takim falenderimi të organizuar nga kryeministri Rama për të gjithë ata që ideuan dhe punuan për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”, i cili u vlerësua në Barcelonë me çmimin evropian për hapësirën publike urbane 2018. 

Në fjalën e tij, Veliaj shprehu bindjen se sa i takon çështjes së ndërtimit të teatrit të ri, do të triumfojë arsyeja mbi nostalgjinë për t’u siguruar se shqiptarët në 100 vitet e ardhshme do të kenë një teatër të ri dhe modern.

Mezi –pres që në diskutimin e nesërm, të ulur gju më gju me arkitektët , me artistë ne të arrijmë në një konsensus që t’i hapim rrugë të paktën një negociate ku të fillojmë që të flasim dhe të gjykojmë se si në pamundësi që shteti ynë modest të paguajë shuma që nuk i përballon dot, ne ashtu si kjo mrekullia që po prodhohet sot e stadiumit kombëtar, ne të kemi një tjetër xhevahir në qytetin e Tiranës që quhet Teatri i ri Kombëtar dhe jam i bindur se do të triumfojë arsyeja mbi nostalgjinë dhe do të gjejmë mënyra origjinale se si dhe nostalgjinë ta përfshijmë në teatrin e ri për tu siguruar shqiptarëve të 100 viteve të ardhshme një teatër të ri dhe modern në zemër të qytetit, aty ku bëhet art, kulturë dhe në brinjë të sheshit Skënderbej, aty ku gëlon jeta e qytetit tonë.