Vettingu: Thanza nuk justifikon pasurinë dhe i dënuar në Itali, gjyqtari përlotet para KPK

10 Korrik 2018, 11:42 | Përditesimi i fundit: 2018-07-10 13:50:58

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, rrezikon të mbetet në 'rrjetën' e Vettingut, pasi rezulton me një sërë pronash nga Shkodra, Gjiri i Lalzit dhe Tiranë, për të cilët nuk justifikon pasurinë, i lidhur me elementë kriminalë dhe i dënuar në Itali për vjedhje. Këto janë tre elementët kryesorë të raportit të thelluar të KPK, që pritet të 'djegin' gjyqtarin Thanza, i cili ka qenë i pranishëm në seancën dëgjimore së bashku me avokatin e tij, Theodhori Sollaku. 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se për gjyqtarin Thanza është bërë Vetting në tre kollona, për pasurinë, për pastërtinë e figurës dhe për aftësitë profesionale. Ashtu si ILDKP, edhe hetimi i thelluar i KPK ka 'fundosur' Admir Thanzën, i cili rezulton pronar i disa apartamenteve, për të cilët nuk justifikon pasurinë, i proceduar penalisht për korrupsion, i dënuar në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta për vjedhje, dënim të cilin e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

Në konkluzionet e ILDKP për gjyqtarin Admir Thanza rezultonte se:

1.     Deklarimi nuk është i saktë në përputhje me ligjin
2.     Nuk ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë
3.     Ka kryer fshehje të pasurisë
4.     Ka kryer deklarim të rremë
5.     Subjekti nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesave

Vetë gjyqtari ishte i pranishëm në seancë, ku pranoi dënimin në Itali, duke thënë se ishte përfshirë në vjedhje për raporte humanizmi dhe për shkak të marrëdhënieve familjare. Sa i takon pronës në Shkodër, Thanza deklaroi se është djersa e tij dhe buka e fëmijëve të tij.