Vëzhgimi/ Rrezik për katastrofa, ja 5 urat në gjendje të amortizuar në Shqipëri

16 Gusht 2018, 19:10

Në vendin tonë ekzistojnë një mori urash, të cilat tashmë kanë kaluar më shumë se 50 vjet ndërtim. Në to aktualisht kalojnë mjete të tonazheve të ndryshem, por që nuk ka një raport për peshën që ato mund të përballojnë duke pasur parasysh edhe vitet që kanë kaluar.

Përveç urës së Vorës që sipas specialistit Xhevahir Ngjeqari rrezikon të shembet, ka edhe ura të tjera që janë problematike në vendin tonë. Në Kukës, ura që lidh të gjithë pjesën verilindore të vendit, duke përfshirë edhe Kosovën e vendet e tjera, është mjaft e amortizuar.

Pamjet e marra nga Report tv tregojnë qartë gjendjen, në të cilën ndodhet ura e ndërtuar mbi Drinin e Zi. Intensiteti mjete që kalojnë në këtë urë është mjaft i lartë. Ndërkohë në asnjërën anë të urës nuk ka një tabelë informuese për tonazhin që mund të përballojë kjo urë. Qytetarët shprehen të rrezikuar gjatë kohës që kalojnë në këtë urë.

Një problem mjaft të madh paraqet edhe ura, e cila lidh Milotin me Lezhën, urë e cila lidh mjaft fshatra të Mirditës. Edhe në këtë urë intensiteti është mjaft i lartë. Sikur të mos mjaftojnë vitet që ka kaluar kjo urë dhe mungesa e rikonstruksionit, shumë pranë urës kompanitë që nxjerrin inerte kanë shkaktuar probleme mjaftë të mëdha në këmbët e urës. 

Intensitet mjaft të lartë të kalimit të automjeteve ka edhe ura e Tapizës, e cila është pjesë e nyjes kryesore që lidh kryeqytetin me shumë zona të tjera. Këmbët e kësaj ure prej vitesh janë të konsumuara, por askush nuk është përkujdesur për ta rikonstruktuar atë, apo edhe për të ndërtuar një urë të re. I vetmi investim në këtë urë janë hedhja e pak metër kubve asfalt për të evituar gropat e krijuara herë pas here.