VIDEO ekskluzive e vrasjes së ish-policit Berçana, Artan Hoxha: Viktima e pa vrasësin

TIRANË- Report Tv publikon sot të plotë videon ekskluzive të ekzekutimit të ish-policit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silvana Ndoci, ngjarje e ndodhur në 15 korrik. 

7 sekonda i janë dashur vrasësit për të ekzekutuar Boran Berçanën dhe bashkëjetuesen e tij Silvana Ndoci, në prezencë të fëmijës së tyre brenda në makinë. Videoja u sigurua nga gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha, i cili ka sqaruar në studion e lajmeve të Report Tv se si mundi ta siguronte videon por edhe gjithë detajet e reja për vrasjen e çiftit që tronditi Shkodrën.

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar pamjet, teksa ka renditur disa detaje të cilat zbulohen sot në pamjet ekskluzive. Në video mund të dallohet se autori ka qëlluar me dorën e majtë, një specifikë që sipas Hoxhës dallon disa nga vrasësit profesionistë në vendin tonë. 

Gjëja që bie në sy është që autori shkon qetësisht tek makina. Ngjarja ka ndodhur në një zonë të Shkodrës ku s’ka lëvizje. Autori e ka pritur mbi 1 orë viktimën.  Makina e autorëve është afër vendit ku ndodh atentati, të hyjë brenda banesës, Bërçana duhet të kalojë në një rrugicë. Kur hyn në rrugicë, polici s’ka asnjë mundësi të shmangë pritën, duke qenë se është kthesë, makina është në shpejtësi minimale. Aty është hyrja e apartamentit. Autori ka pritur dhe e ka dalluar makinën qartësisht. Ora është 1:30, 2:00 pas mesnate. Çdo lëvizje tërheq vëmendje dhe ai mund ta ketë parë autorin kur afrohet qetësisht nga pasqyra. Ai është afruar qetësisht, dhe ka marrë parasysh se Bërçana mund të kishte armë me vete. Ka patur dijeni dhe për kamerat. Nga informacionet e mia, kemi porositës, organizator dhe ekzekutor. Ka një kamerë tjetër që e ka prokuroria. Është një distancë më të afërt. Ka një kënd tjetër, makina është përpara. Autori qëllon me dorën e majtë, vrasësit profesionistë e dinë dhe e njohin njëri-tjetrit. Është mëngjarash, sapo afrohet, ka të dhëna të sakta se mjeti nuk është i blinduar. Është përdorur për herë të parë, automatiku MP5, prodhim gjerman. Ka qenë armë turke, imitim i prodhimit gjerman, për kujtesë është arme e njëjtë si ajo që bëri vrasjet në 21 janar.

Në vrasjen e Ziver Veizit u përdor një armë e tillë. Preferohet në distancë të shkurtër. Intensiteti i qitjeve është shumë i lartë.  

Artan Hoxha, gazetar

Duke iu referuar lëvizjeve të autorit dhe viktimave, Hoxha tha se, Shkodra është një qytet i ndarë në zona kontrolli për shkak të grupeve rivale. Një e tillë ishte edhe zona ku jetonte me qira Borani e Silvana. Sipas tij, autori është kamufluar për të siguruar hyrjen në zonë, e pastaj për të kryer ekzekutimin. Hoxha thotë ndër të tjera se, duke u nisur nga mënyra se si e mbante armën, autori ka pasur qëllim t’i ekzekutojë të dy.