Vrau kreun e njësisë Administrative, gjykata e Vlorës burg autorit

12 Nëntor 2018, 13:47

Gjykata e Vlorës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg”, për Admir Delaj, i arrestuar si autori i vrasjes së Fatmir Hodos, ngjarje kjo e ndodhur ditën e premte në fshatin Kote.

Në gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë, ka dalë Delaj, ndërkohë që seanca kryesohej nga gjyqtari Hektor Harizaj, ndërsa prokuror i çështjes ishte Maksim Sota. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, dhe mediat janë lejuar të qendrojnë vetëm gjatë minutave të para.

43-vjeçari Admir Delaj akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje”. Ai qëlloi me një armë gjahu administratorin e njësisë administrative Kote, të bashkisë Selenicë, pas një konflikti. Sipas njoftimit policor, viktima dhe autori ishin së bashku në tavolinën e një lokali duke konsumuar pije alkoolike, kur pasi 43 vjeçari ka qëlluar me çifte në drejtim të Hodos.Sipas burimeve të Report Tv, Hoda është konfliktuar me Delajn për cështje pronësie. Pasi e qëlloi me armë gjahu në lokalin në qendër të fshatit, Fatmir Hodo ngeli i vdekur në vend. Ndërkohë që gjatë seancës që u zhvillua sot, Delaj nuk deklaroi asgjë, por vetëm shfaqi pendim për vrasjen e kryetarit të njësisë administrative Kote.