Zbardhet nisma, lojërat e fatit që do mbyllen deri në 31 dhjetor

11 Tetor 2018, 11:45

Qeveria ka depozituar në parlament projektligjin për mbylljen e pikave të basteve deri në 31 dhjetor të 2018. Krahas projektligjit për lojërat e fatit, në Kuvend është depozituar dje edhe nisma për izolimin total të personave të dënuar për përfshirje në krim të organizuar. “U nisën për parlament ligji për ndalimin në 31 dhjetor të basteve e kazinove elektronike dhe ligji për kufizimin maksimal të kontakteve të të dënuarve për krim të organizuar me botën brenda e jashtë burgut po e po”, njoftoi kryeministri Edi Rama në rrjetin social Facebook.

Shqiptarja.com zbardh ndryshimet në ligjin për lojërat e fatit, të cilat parashikojnë mbylljen e kazinove dhe lotove deri në fund të vitit. Në ligjin aktual është parashikuar që kazinotë elektronike dhe bingot tradicionale ushtrojnë aktivitetin deri në 31 dhjetor 2018. Ndërkaq, në projektligj është parashikuar që në 31 dhjetor 2018 të mbyllen edhe bastet sportive ose llotot si dhe bastet për gara në pistë. “Në nenin nr. 71, “Dispozita kalimtare”, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon: 1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje: “2.1. Organizatorët e kategorive “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë” do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018. Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura, në proces shqyrtimi, ndërpriten.”.