Nga Carlo Bollino
Ndërkohë që në gjithë botën janë sidomos mediat sociale ato që akuzohen se prodhojnë dhe shperndajnë Fake News, në Shqipëri protagonistët-fajtorë janë edhe të tjerë. Për shembull, janë mediat informale, sidomos portale web që nuk kanë asnjë identitet juridik, që publikojnë artikuj anonimë, që paguajnë gazetarë pa sigurimet shoqërore, që arkëtojnë pagesa reklamash pa fatura dhe që punojnë në redaksi pa adresa: këto janë si avionë bombardues të pasukshëm që bëjnë masakër ndër civilët duke i goditur nga retë dhe që mbeten të pakapshëm për çdo radar dhe çdo drejtësi. Sektori i mediave online është një ndër sektorët e paktë ekonomikë që i është shmangur deri tani çdo procesi të formalizimit dhe, duke qenë se piratët nuk mund të ndiqen as ligjërisht, mediat online janë bërë edhe prodhuesit kryesorë dhe shpërndarës të pandëshkuar të shpifjeve dhe Fake News-eve.
Më keq se mediat-fantazma, deri tani, veprojnë vetëm politikanët. Ata nuk kanë nevojë as për anonimatin e shpifjeve dhe Fake News-eve: mbrohen thjesht pas imunitetit, ose pas parimit të “lirisë së kritikës dhe denoncimit”, parime që, në një vend normal, duhet të shërbenin për të përforcuar demokracinë, por në Shqipëri po e dobësojnë në mënyrë progresive. Në formë të ndërgjegjshme apo jo, të gjitha mediat (edhe ato që nuk janë fantazma) kontribuojnë për përhapjen e këtij fenomeni, pasi, duke publikuar një deklaratë false të një politikani, përfundojnë duke e trajtuar atë si të ishte e vërtetë. Të mos e publikosh, nga ana tjetër, do të dukej edhe më keq, pasi përballë një lajmi të paverifikueshëm, qëndrimi tepër i kujdesshëm i një gazetari rrezikon të interpretohet si censurë. Një zgjidhje profesionale përballë kësaj dileme është që gazetarët të distancohen sa me dukshëm nga këto lloj deklaratash.
Vendet perendimore, SHBA dhe Bashkimi Evropian, kane shpallur luftë frontale kunder Fake News, ndërsa Papa Françesku krahason shpifjen me një akt terrorizmi për aftesinë që ka për të goditur integritetin moral, familjen dhe vetë jetën e njerëzve. Në Shqipëri, në të kundërt, konsiderohen prej shumë vetëve shprehje e lirisë.
Antikorpi që një shoqëri moderne e qytetëruar mund t’i kundërvejë këtij fenomeni të degradimit etik dhe politik, është pikërisht një informacion profesional, që të ketë kurajon të ndajë në mënyrë të qartë shpifjet, faktet të vertetuara dhe opinionet. Gazetarët duhet të përvetësojnë sërish vlerën shumë të madhe të dyshimit, përpara se të shpërndajnë qorrazi një lajm që nuk është i bazuar në fakte. Por krahas dyshimit, duhet të kultivojnë edhe virtutin suprem të kuriozitetit, pasi vetëm ai që është kurioz, arrin të kuptojë të vërtetën. Këto ditët e fundit të debateve të mëdha mbi çështjen Babale apo mbi çështjen Xhisiela, për shembull, 80 për qind e gazetarëve që debatonin në televizione apo në media online e bënin këtë vetëm e vetëm mbi bazën e opinioneve të shprehura nga politikanët, apo pohimeve që vinin nga njera prej palëve dhe shume pak mbi bazën e një leximi të drejtpërdrejtë të dokumentave, të një krahasimi të tyre, apo mbi bazën e një verifikimi skrupuloz të fakteve.
Unë besoj ende në rolin e shtypit dhe jam i bindur se një ndërgjegjësim nga ana e gazetarëve mbi rëndësinë e rolit të tyre jo ideologjik mund të ofrojë një kontribut themelor për të ndihmuar Vendin të dalë nga këneta e shpifjeve, që janë bërë metodë e zakonshme e luftës politike. Të verifikosh faktet nuk do të thotë në asnjë mënyrë të ndryshosh opinionin tënd politik, pasi faktet dhe opinionet (siç mësohet në të gjitha akademitë e gazetarisë) duhet të mbeten rreptësisht të ndara. Dhe, nëse nuk e bën këtë politika, kjo vjen pasi, në tymin që del kur përzihen shpifje, faktet dhe opinionet, është më e lehtë të fshehësh gënjeshtrat dhe të çoroditësh atë që të dëgjon.
Është për këtë arsye që sot Shqiptarja.com online ka vendosur të distancohet nga të gjitha format e akuzave politike që implikojnë përgjegjësi penale, të cilat nuk janë të bazuara mbi dokumenta të verifikueshme. Poshtë çdo deklarate apo akuze publike që nuk mbështetet nga dokumenta që mund të analizohen edhe nga gazetarët tanë, do të vendoset një shënim kujdes, në të cilin do të saktësohet se ai lajm specifik nuk është verifikuar nga ana e redaksisë sonë dhe prandaj mund të jetë thjesht frut i propagandës politike. Shënimi kujdes do të përdoret pavarësisht nga përkatësia politike e atij që e bën akuzën e padokumentuar, apo që nuk është bazuar mbi akte të institucioneve.
Kjo nismë është vetëm një kontribut i vogël për t’u kujtuar gazetarëve rëndësinë e të dokumentuarit të çdo akuze para se ta publikojnë atë, por shërben edhe për t’i bërë më të kujdesshëm lexuesit tanë mbi detyrën e dallimit të fakteve të vertetuara nga opinionet. Një shoqëri demokratike bëhet edhe qytetare vetëm nëse është në gjendje të njohë vlerën e dyshimit dhe nëse ka kuriozitetin për të kuptuar, pasi vetëm duke u përpjekur të kuptosh tregon se ke dëshirë edhe për të njohur të vërtetën.