Momentet më të rëndësishme të jetës së aktorit gjenial Aleksandër Moisiu në 44 foto të printuara në kanavacë janë bërë publike për herë të parë në Tiranë në Qendrën për Hapje dhe Dialog përmes një ekspozite të organizuar dhe kuruar nga Pjetër Logoreci. Për herë të parë, mbrëmjen e së enjtes, publiku është njohur me objekte si: stampa e dorës, flokët origjinalë, maska e vdekjes, spaletat e ushtarakut, kurora e aktorit më të mirë të Evropës, si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë.
Ekspozita është realizuar me foto dhe dokumente të panjohura mbledhur në arkivat austriake nga studiuesi Pjetër Logoreci gjatë një periudhe kërkimore 7-vjeçare. 44 foto tregojnë disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së Moisiut: fëmijëria, familja, dokumentet e rëndësishëm të jetës së aktorit, si dhe pamje nga rolet e tij në film e teatër. Kjo ekspozitë u çel edhe një vit më parë në Shkodër, me mbështetjen e Ambasadës Austriake dhe bashkisë së qytetit. Në ekspozitën e mbrëmshme morën pjesë edhe kryeministri Edi Rama, presidenti Alfred Moisiu dhe personalitetet e tjera të artit e kulturës.











