Viti 2018 është shpallur Viti i Skënderbeut. Të gjitha trojet shqiptare me ceremoni të ndryshme shënojnë këtë vit në kujtim të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Po si të shënohet e të mos bëjmë diç të ngjashme me atë që kanë bërë të tjerët? Çfarë të bëjmë që të sjellim diçka të re që e kemi para syve e nuk e shohim?
Po, pra, një vizitë varrit të motrës së Skënderbeut. Është kaq afër, po shumë larg nga të gjithë. Studiuesit shqiptarë çdo ditë shkruajnë e përshkruajnë ato që dikush tjetër veç ia ka thënë, të paktë janë ata që marrin iniciativë e të bëjnë hulumtime nëpër arkiva e edhe më pak të atillë që ndërmarrin iniciativa vizitash vendeve ku kanë lënë gjurmë njerëzit tanë. Kureshtja ime për motrën e Skënderbeut, konkretisht Marën ishte i kahershëm.
Lindi që atëherë kur si informatë e mora nga fillimi për Skënderbeun. Për një kohë të gjatë u harrua, risillet sërisht nga informata e marrë se varri i saj gjendet në një manastir që gjendet diku në ishujt e Liqenit të Shkodrës. Po ku ishte ky vend? Natyrshëm lindte pyetja. Heshtje. Në verën e vitit 2008 në Ulqin erdhën Moikom Zeqo dhe vëllai i tij Fredi. Ndenjëm së bashku ne të tre dhe Naim Flamuri me çast diskutuam për gjëra të ndryshme e një nga to ishte edhe mundësia e shkuarjes në ishullin Kom, në vendin ku prehej Mara motra e Skënderbeut dhe gruaja e Stefan Crnojeviqit, mbretit të Zetës.
Prapë u zgjua kjo kureshtje, ramë dakord që të nesërmen në mëngjes të nisemi për në vendin e caktuar. Fredi ishte i gatshëm që me benzin e tij të na çonte në vendin e duhur. U ndamë. Unë nuk u zgjova herët. Ata shkuan pa mua. Me siguri ishte sinjal se nuk isha i gatshëm të shkoja në një vend të tillë. Pak ua kisha zili, kur u takuam në mbrëmje dhe më tregonin për vendin, flisnin për pllakën që kishin parë, tregonin sesi Naimi ishte shtrirë përmbi pllakë që të përcjellë ngrohtësinë njerëzore në ftohtësinë e pllakës së gurit që kishte mbyllur Zonjën Marë në botën e përtejshme… Ah, sa ua kisha zili por nuk u tregoja…
Fotot nga Gëzim Mavriqi e Sami Flamuri











