KORÇE - Një aksident i rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Maliq-Korçë. Tek ura në dalje të Maliqit, një automjet me targa AA527VK dhe drejtues Gjergji Elmazin, 24 vjeç, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka rënë në lumin Devoll. Drejtuesi i automjetit ka humbur jetën, i cili udhëtonte i vetëm. Policia njofton se aksidenti ka ndodhur në orën 03:45 minuta të mëngjesit.
Pak minuta pas kërkimeve, ekipet e polumbarëve të mbërritur nga Tirana gjetën trupin e pajetë të të riut. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, ura nga ku ra makina nuk ka barriera mbrojtëse. I riu dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, pasi po kthehej në shtëpi nga një lokal nate. Rreth 5 orë pas aksidentit polumbarët nxorën nga ujërat e Devollit edhe automjetin e të riut.












