Para disa vitesh erdhi të më takonte në Muzeun Historik Kombëtar Prof. Lucia Nadin e shoqëruar nga Prof. Gherardo Ortalli. Kam vite që njihem me Lucia Nadin. Ajo ka punuar për shumë kohë në dhënien e gjuhës italiane në Universitetin e Tiranës. Njihem familjarisht me të dhe në mënyrë të veçantë vajza ime e madhe Arnisa ka dhe një detyrim moral ndaj Lucias. Kur Arnisa botoi në moshën 14- vjeçare librin e saj të parë në poezi në dy gjuhë në shqip dhe në italisht, ishte pikërisht Lucia Nadin, që shkroi një parafjalë për këtë libër. Më vonë i kemi ruajtur lidhjet tona miqësore dhe shkencore.
Më 1995 Lucia Nadin botoi librin në italisht dhe në shqip “Venecia dhe Shqipëria: gjurmë të lidhjeve antike”. Unë bëra të vetmin recension në shtypin e shkruar për librin e saj të parë, që studion marrëdhëniet midis dy brigjeve adriatikase. Më pas, Lucia Nadin u sëmur dhe u largua nga Shqipëria për në Itali.











