Angjelin Nënshati, fotografi që fiksoi jetën e një qyteti

1 / 4
2 / 4
3 / 4
4 / 4
15 Korrik 2018, 14:17

E kujtoj dhe tani Angjelin Nënshatin!... Takoheshim shpesh. Më pyeste gjithëherë i pari: “Hë, artisti..! Si të shkojnë punët?” Dhe unë ia ktheja me dashamirësi: “Ç’kemi Angjo..?” Ai largohej, siç e kish zakon shpejt e shpejt, dhe si mirësjellje prej miku më linte ca margaritarë rrëzëllitës: buzëqeshjen e fytyrës, sytë që i shkëlqenin-dritë dhe zërin e ëmbël gazmor si prej zogu.

E kujtoj dhe tani Angjelin Nënshatin!.. Më saktë, ma bëri ta kujtoj emrin e tij një album i shtrenjtë për mua që e gjeta papritur... Ishte albumi i dasmës sime. Ma ka bërë mjeshtri Nënshati me mjeshtërinë e tij të pazakontë! Po e shfletoja... Sillja ndërmend vite dhe plot kujtime. Sillja ndërmend përkujdesjen e tij të përkorë. Lëvizte shumë. Nuk mërzitej asnjëherë. Me zërin e ëmbël të thoshte herëpashere: “Kujdes dorën... Pak më tej... Qeshu pak... Ashtu, ashtuu! Hë, gati... Gati!.. – dhe trak shkrepte aparatin..” Dhe kështu, në ritualin e tij aparati shkrepej pafund...

Edhe unë isha një nga familjet e shumta shkodrane, që Mjeshtrin Nënshati e kisha ‘pjesëtar’... E kisha dëshmitar i një dëshmie të shtrenjtë dhe të paharrueshme, atë të dasmës! Për këtë isha dhe jam fatlum!.. Lumturi që nuk e fsheh!

E kujtova edhe para ca ditësh... Në fakt, e kujtuam së toku shkodranët dhe më gjerë... në ekspozitën retrospektive të këtij fotografi të shquar me foto të rralla të periudhës së diktaturës deri në fillimet e 90-ës. E kujtuam në Muzeun “Marubi”. Në pasurinë prej mrekullie të “Marubit”, fotografi Angjelin Nënshati po shfaqte madhështinë e fotografisë së tij...       

Ishte fotografi i fundit, më i vjetri që kishte qyteti im, Shkodra. Arkiva e tij numëron rreth 228 000 imazhe të shkrepura në film rul 24 x 36 mm, foto që mbartin një sigël të përbashkët: “Nënshati”. Kjo pasuri kulturore që shtohet dita-ditës nga djemtë e tij, e vë denjësisht artistin Nënshati përkrah emrave të mëdhenj të fotografisë shqiptare, si Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta.

Angjelin Nënshati u lind në Shkodër më 12 dhjetor 1929. Studimet e para i ndoqi në Kolegjin Saverian. Mbas mbylljes së tij, vazhdoi shkollën e mesme të përgjithshme në gjimnazin “28 Nëntori”. Nga viti 1948 deri në vitin 1957 punoi si mësues në shkollat e Pukës dhe të Shkodrës. Që në rini ka pasur pasion të madh për profesionin e fotografit. Ishte 14 vjeç kur hyri në laboratorin-atelier të fotografit të njohur Rraboshta. Në Pukë ka krijuar laboratorin e parë fotografik në vitin 1948. Deri më 1957, është marrë me fotografinë si amator, më pas e vazhdoi si profesionist. Me shtetëzimin e repartit të fotografisë, që nga viti 1958 e deri në vitin 1990 ka punuar fotograf profesionist dhe është shquar si i tillë, duke fiksuar ngjarjet më të rëndësishme të historisë së qytetit të Shkodrës e më gjerë. Vdiq më 18 prill 2008, në moshën 79-vjeçare, në Shkodër.

Ashtu, thatim në fytyrë, i qeshur e i përzemërt gjithmonë, teksa u shpërndan njerëzve mirësi e nur, ecën me hap të shpejtë. Gjithmonë shpejton: në mëngjes, në mesditë, në muzg. Shpesh e zë nata dhe në udhë. Jo si një udhëtar i vonuar, por si një njeri i mirë, fjalëpakë e i heshtur, që ka 50 vjet që s’e ndan nga dora “mikun e tij të ngushtë të jetës” aparatin fotografik. Dhe ka 50 vjet me këtë aparat fotografik që diçka (e vazhdon) t’i thotë qytetit të tij të lindjes e kohës. Me artin e tij kërkon të mos u mbetet borxh ditës e njerëzve. Ndaj shpejton e shkrep, shkrep e shpejton... “Foto Nënshati”. Dhe për këtë mision fisnik, Shkodra, vendlindja e tij, i është përherë mirënjohëse.

Për fotografin pasionant Angjelin Nënshati nuk gabon po të thuash se, jeta është kthyer në lëvizje. Ndoshta më mirë se çdo lloj metafore a krahasimi flet kjo bisedë e zhvilluar 12 vjet më parë, e nxjerr nga arkivi im.