Një atentat me armë zjarri me një të vdekur dhe një të plagosur ka ndodhur në fshatin Poro të njësisë administrative Novosele rreth orës 01:10. Si pasojë e të shtënave me breshëri kallashnikovi ka humbur jetën rrugës për në spital 22-vjeçari Sotiraq (Raqi) Mëhilli ndërsa është plagosur rëndë Eno Mata 32 vjeç.
I plagosur ka marrë plumba në trup dhe në këmbë ku si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore është dërguar për në spitalin e Tiranës.
Të dy personat që u bënë shenjestër e atentatit po udhëtonin me motorr në momentin kur janë qëlluar me kallashnikov. Mësohet se ata kanë lidhje shoqërore me njëri tjetrin ndërsa shenjestra e atentatit dyshohet të ketë qënë i plagosuri, Eno Mata.Autorët e ngjarjes vetëm disa kilometra larg vendit ku lanë të vrarë 22-vjeçarin dhe plagosën 32-vjeçarin tjetër, kanë djegur edhe makinën që përdorën në kryerjen e krimit. Në brendësi të automjetit tip ' Mercedes Benz' të djegur në Bishan janë gjetur edhe dy kallashnikovë me të cilët autorët kanë hapur zjarr ndaj Sotiraq Mëhillit dhe Eno Matës. Makina rezulton e vjedhur gjithashtu edhe targat e këtij automjeti rezultojnë të jenë të vjedhura.











