Banorët e “Unazës së Re” po protestojnë këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është dita e 18 e protestës së tyre kundër projektit të “Unazës së Re”, që parashikon prishjen e banesave të tyre.
Ndonëse qeveria njoftoi se banesat do të prishen vetëm pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet, banorët e “Unazës së Re” shfaqen ende të revoltuar. Sipas gazetarit të Report TV, Dricim Caka, banorët janë përplasur me forcat e policisë, si dhe kanë hedhur shashka. Vendosja e kordonit të sigurisë përreth Parlamentit nga ana e policisë, duket se nuk po shërben për të shmangur revoltën e qytetarëve.
Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama theksoi se do të dëmshpërblehen vetëm banesat me leje, por banorët kundërshtojnë duke deklaruar se janë në proces legalizimi. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, ndërkohë që, përgjatë këtyre 18 ditëve kanë gjetur edhe mbështetjen e deputetëve të opozitës.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e 'Unazës së Re' protestojnë përpara një organi të lartë. Më 15 nëntor, ata protestuan edhe para Bashkisë së Tiranës. Duke hedhur tymuese dhe bomba molotov, ata u përplasën edhe me policinë bashkiake, nga ku mbetën të lënduar 7 efektivë.











